"Duronte për hatër të fëmijëve!" Familjarët e 50-vjeçares që u vra nga burri: Ishte xheloz “i sëmurë mendor”

56 vjeçari Petrit Mamaj që vrau me thikë bashkëshorten një ditë më parë, sipas të afërmve të viktimës kishte probleme të shëndetit mendor dhe herë pas herë nuk e kontrollonte veten. Sipas tyre ai ishte xheloz dhe kërkonte divorcin, por 50 vjeçarja rrinte me të për hir të dy fëmijëve.

Shtëpia ku Petrit Mamaj vrau me thikën e bukës bashkëshorten ishte e mbyllur pas krimit.

Valentina Mamaj Vruzhi do të prehet në Levan larg banesës ku me burrin që e vrau rriti dy fëmijë.

Krimi ndodhi vetëm pak orë pasi 50 vjeçarja i kishte dhënë përqafimin e fundit djalit që ishte nisur për në Gjermani.

Petrit Mamaj fillimisht tentoi ta fshehë ngjarjen duke e raportuar si vetëvrasje, por gjurmët e sulmit me thikë mbi trupin e gruas e zbuluan.

Përballë provave u dorëzua dhe pranoi se bashkëshorten e vrau për xhelozi.

"Ai ka qenë me të meta mendore. I kemi thënë vajzës, vetëm nga fëmijët vajza nuk ka pranuar."

Banorët në lagjen Sheq i Madh, thonë se u tronditën kur mësuan për ngjarjen.

"U habitëm."

"Nuk dimë pse ndodhi kjo gjë."

Në fshatin e lindjes së 50 vjeçares, banorët që e njohën që vajzë kërkojnë dënim maksimal për burrin vrasës.

"I rriti, i edukoi dhe sot ajo të varroset e të jetojë ai. Të kalbet në burg."

Krimi në familje u shënua mëngjesin e së martës në fshatin Sheq i Madh.

Petrit Mamaj pasi kishte masakruar gruan doli në lagje dhe hëngri bukë në një lokal për të dhënë idenë se nuk kishte dijeni për asgjë që kishte ndodhur në banesë.

Ndërsa kur u kthye në shtëpi njoftoi të vëllanë polic se gruaja kishte vrarë veten me thikë.

Por inskenimi u zbulua dhe 56-vjeçari u vu në pranga ndërsa këtë të mërkurë gjykata e Fierit e la në burg pa afat për akuzën për vrasje në rrethana cilësuese.