Mashtrimi me Call-Centerat, skema si iu vodhën italianit 108 mijë euro për kriptovaluta
Dy raste të vjedhjes së shumave të mëdha monetare përmes mashtrimit me aktivitetin e call-centerave janë zbuluar nga policia në Tiranë dhe në Durrës. Në pranga kanë rënë tre persona të cilët pa u regjistruar në tatime ushtronin aktivitet të paligjshëm duke u marrë paratë qytetarëve shqiptarë e të huaj me premtimin për investim në kriptovaluta por më pas i përvetësonin këto fonde. 31-vjeçari i arrestuar në tiranë ka përvetësuar në këtë mënyrë 108 mijë euro.
Dy raste të mashtrimit në shuma të mëdha përmes aktivitetit të call-centerave janë zbuluar nga policia në Tiranë dhe në Durrës duke vënë në pranga tre persona.
Në kryeqytet forcat e rendit kanë arrestuar shtetasin Olti Ferhataj i cili akuzohet se ka mashtruar një shtetas italian nëpërmjet Call Center duke i marrë një shumë prej 108 mijë euro.
Burimet zyrtare thanë se nga veprimet hetimore ka rezultuar se 31-vjeçari Olti Ferhataj, nëpërmjet një call center-i të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse që investonte në Kriptomonedha dhe Forex.
Pikërisht nëpërmjet kësaj skeme mashtrimi, i riu ka përvetësuar nga shtetasi italian shumën prej 108000 euro.
Burime të policisë thanë se Olti Ferhataj fillimisht e ka telefonuar të huajin dhe pasi i është prezantuar si agjent burse, i ka rekomanduar investimin e 108 mijë eurove në kriptomonedha me premtimin se do të merrte pas një fitim të konsiderueshëm.
Por pasi shtetasi italian ka kryer transfertën, fondi është përvetësuar nga 31-vjeçari Ferhataj ndërsa shtetasi italian nuk ka marrë jo vetëm fitimin e premtuar por as paratë që kishte investuar.
Aktivitete të tilla mashtruese duket se zhvillohen edhe në Durrës ku janë vënë në pranga 2 persona.
Shtetasit Frenk Lumi dhe Desar Bano akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Pas arrestimit, ndaj dy të dyshuarve janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Mashtrim kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

