Banorët e "5 Majit" takim me Presidentin: Shqetësimi ynë është prona, të gjendet zgjidhje

Përfaqësues nga "5 Maji", Lapraka dhe Paskuqani kanë zhvilluar një takim me Presidentin mesditën e sotme.

Pas përfundimit të takimit, gazetari Bledi Marku tha se pas kërkesave të ndryshme drejtuar autoriteteve shtetërore nuk kanë marrë asnjë informacion.

Marku: Presidenti ishte i gatshëm të na dëgjonte. Shqetësimi jonë është prona, adresuam këtë kauzë Presidentit të Republikës dhe tha se do konsultohet me juristë. Unë kërkoj që kjo çështje e pronës të ketë një zgjidhje ligjore dhe jo antikushtetuese siç po ndodh te "5 Maji" ku po shemben banesat me një urdhër dhe pa asnjë marrëveshje. E njëjta gjë edhe nga sheshi Shqiponja, Paskuqan e Babrru. I njëjti skenar që po shohim sot te "5 Maji" do ta shohim kudo ku ka një projekt. Kjo është kërkesa jonë, që të marrim një zgjidhje para se të vijnë fadromat pranë banesave tona. Shpresojmë të ketë reflektim edhe nga kryeministri Rama, kryebashkiaku, që të gjejnë një zgjidhje para se të fillojnë projektet."

Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat nëse nuk marrin një zgjidhje. Madje paralajmërojnë edhe përshkallëzim të situatës duke u shprehur se do hyjnë në grevë urie.

Një tjetër banor tha se Presidenti i premtoi që do ta ndjekë problemin në mënyrë institucionale.  

"Është i vetmi institucion që na ka pritur dhe na ka dëgjuar me vëmendje. Ka 1 vit që i bëjmë kërkesë të gjitha institucioneve të shtetit dhe nuk na kanë kthyer një përgjigje se çfarë do bëhet me ne," tha ai.

Ditën e sotme, te "5 Maji" u shembën 5 banesa. Situata u shoqërua me tensione të shumta mes forcave të policisë bashkiake dhe banorëve të cilët bënin rezistencë dhe nuk pranonin të lironin shtëpitë e tyre.