"Jam Ilir Meta o super budallenj! Presidenti ngre zërin. Mesazh rilindasve "mavi e blu" e ndërkombëtarëve: Harrojeni.... Populli i 2 Marsit është shumë i irrituar

Në konferencën për median ku njoftoi se ka firmosur kallëzimin penal kundër Kuvendit për falsifikim dokumentesh, presidenti Ilir Meta me ton të ngritur përcolli dhe një mesazh për ata që i quajti rilindas "mavi" e blu" por dhe ndërkombëtarët.
"Ta harrojnë njëherë e përgjithmonë të gjithë ata që kanë menduar që në mënyrë mafioze, mafioze të gjithë ata rilindës vendas e ndërkombëtarë, mavi e blu, se do të varrosin defakto pluralizimin politik në Shqipëri e do të dhunojnë popullin e Shqipërisë do të dëshpërohen pa fund e do të marrin përgjigjen e merituar dhe për këtë ju jap fjalën. Jam Ilir Meta o super budallenj" tha Meta duke u sqaruar gazetarëve se kjo ishte "për ata" ndërsa gazetarët ishin "yje" vetëm duhej të informonin drejt."
Pyetjes së gazetares nëse do të lironte zyrën e presidentit nëse gjykata Kushtetuese e shkarkonte Meta la të kuptojë se nuk do largohet nga zyra para 24 korrikut kur i mbaron mandati, por se nuk do të sillej njësoj si Basha që blindoi PD për protestën e 8 janarit të thirrur nga Sali Berisha.
Madje shtoi dhe se populli i 2 marsit është i irrituar.
Ilir Meta: "Nuk do të ketë asnjë bravë shtesë në institucionin e presidentit. Nuk do të blindohet asgjë. 24 korrik ju kam premtuar që do të bëjmë një festë së bashku pastaj.. Natyrisht populli i 2 marsit është shtuar shumë gjatë kësaj kohe sidomos me këto falsifikimet e fundit është shumë i irrituar por ne duhet të ruajmë vetëpërmbajtjen e cila është relative dhe dinamike, pasi nuk varet vetëm nga presidenti. Kur palët sillen normalisht presidenti sillet si danez por kur kërcënohet rendi kushtetues dhe nxitet artificialisht një konflikt si ato që kemi parë, sigurisht që presidenti do të jetë njësh me Kushtetutën e popullin shqiptar.
Prej 7 shkurtit 2022, kur ishte seanca e konkluzioneve përfundimtare Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë të japë vendimin lidhur me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit.
