Puka zbardhet nga bora, temperaturat zbresin në disa gradë minus

I gjithë territori i bashkisë Pukë është përfshirë mbrëmjen e sotme nga reshje intensive bore, por që pritet të mos zgjasin.

Trashësia e borës aktualisht ka kaluar 5 cm.

Mjeti borëpastrues ka dalë në terren ku po mbahen të qarkullueshme rrugët e qytetit, për të vijuar më tej përgjatë natës dhe në akse të tjera rrugore si Qelza dhe Qerreti.

Ulja e menjëhershme e temperaturave në -5°C rrezikon të ngrijë borën, çfarë do e bënte të pamundur pastrimin e rrugëve, ndaj është vendosur që dy mjetet borpastruese të vijojnë punën deri në orët e para të mëngjesit kur do të bëhet dhe kriposja.

Krahas rrugëve që mirmban Bashkia, në terren kanë dalë dhe mjetet e kontraktuara nga ARRSH për mirmbajtjen e akseve nacionale.

Përballë kushteve të tilla atmosferike, qytetarëve u bëhet apel të evitojnë lëvizjet gjatë natës.

Reshjet e borës pritet të ndërpriten para mesnatës, duke krijuar mundësi për rikthimin e plotë të normalitetit  në segmentet rrugore.