A do ta lirojë zyrën nëse e shkarkon Kushtetuesja? Meta shpërthen në të qeshura: Presidenti ka mbrojtje, s'është noter i Qeverisë

Kushtetuesja do të vendosë brenda 30 ditëve nëse Ilir Meta do ta ushtrojë mandatin e tij të plotë si President.

I pyetur a do ta lirojë zyrën e Presidencës, nëse Kushtetuesja legjitimon shkarkimin e tij nga detyra, Meta dha këtë përgjigje duke e shoqëruar me një të qeshur të gjatë.

Meta: Ishte pyetje e mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Ky institucion ka qenë çdo ditë dhe çdo sekondë në shërbim të popullit të Shqipërisë. Presidenti ka një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta, është Kreu i Shtetit, garanti dhe mbrojtësi i interesave më të larta shtetërore, prandaj dhe duhen mbi 2/3 për ta shkarkuar Presidentin, që të mos bëhet një noter i qeverisë dhe skllav i pushtetit. 

Kushtetuta e thotë qartë qe presidenti shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe krime të rënda që kanë të bëjnë me tradhtinë ndaj atdheut.  Arsyeja përse është nxitur ky proces është se Meta nuk ka tradhtuar interesat e atdheut. Çështja për Ilir Metën është më e parëndësishmja, sepse çështje më të rëndësishme do të shkojnë atje. Ne të gjithë do monitorojmë mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore të cilat janë të shenjta.

Meta tha i bindur se Presidenti i ri hyn në zyrë pas 24 korrikut 2022.

Meta: Për mua nuk ekziston asnjë shqetësim për çështjen në Gjykatën Kushtetuese, sepse mbi të është Gjykata Europiane. Sistemi i drejtësisë është i kapur totalisht. Këtë sistem do ta shkundë populli shqiptar shumë shpejt.

Lidhur me besimin e tij te drejtësia kushtetuese në një kohë që ka kërkuar përjashtimin e trupës, Presidenti tha se është për drejtësi evropiane, që do të thotë  proces i rregullt.

Meta: Ky është dallimi mes shtetit të së drejtës dhe shtetit të partisë. Se ç’bën gjykata është çështje e saj, nuk është çështje për Ilir Metën.