Arratisja spektakolare e shqiptarëve nga paraburgimi grek, 5 policë në hetim, 3 pezullohen nga puna
5 policë të Departamentit të Gjykatave të Transferimit të Chanias janë vënë nën hetim lidhur me arratisjen spektakolare të 5 të arrestuarve, 4 shqiptarë dhe një pakistanez, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (e hënë, 7 shkurt) nga qendrat e paraburgimit të shërbimit specifik.
Për 3 prej tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra.
Shqiptarët dhe pakistanezi ishin transferuar nga Athina të shtunën e kaluar dhe sot do të dërgoheshin për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Chania, Kretë.
Gjatë natës ose mëngjesin e sotëm, 7 shkurt 2022, ata kanë arritur të arratisen nga qendrat e paraburgimit.
Policia ka nisur një aksion për kapjen e tyre.
Ata ishin të dënuar për krime të rënda si vrasje, grabitje dhe trafik droge, shkruan protothema.
Sipas informacioneve te medias vendase, një prej shqiptarëve të arratisur është edhe anëtar i bandës së grabitësve të armatosur që vepronte në Athinë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vjedhje e bastisje me armë të banesave si pjesë e grupit që përbëhej nga 17 persona.
Ngjarja u zbulua ne vitin 2016 kur në muajin maj Prokuroria e Athinës lëshoi një seri urdhërarrestesh. Nga të arratisurit, i rrezikshëm konsiderohet edhe shtetasi 34-vjeçar pakistanez, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për tre vrasje. Shtetasit e tjerë shqiptarë janë dënuar për trafik droge.
