Sfidat e të rinjve në Shqipëri, papunësia i detyron të emigrojnë

Rinia shqiptare po përballet çdo ditë e më shumë me sfida të cilat po ju vështirësojnë jetën dhe punën në Shqipëri. Pjesa më e madhe e të rinjve mendojnë emigrimin  si rrugën kryesore dhe zgjidhjen e vetme për mbijetesën e tyre dhe të familjes, qofshin këta gjimnazistë ose studentë si dhe të diplomuar.

Gjendja e papunësisë së të rinjve është përkeqësuar shumë. Pandemia ndikoi në humbjen e vendeve të punës për shumë prej tyre. Përveç kësaj emigrimi ka marrë përmasa të mëdha dhe këtij problem akoma nuk i është gjetur një zgjidhje.

Sot tregu i punës në Shqipëri është në ndryshim të vazhdueshëm. Të ftuar në studion e “Jeto me Orën” ishin Amela Rahimi e diplomuar për Informatike Ekonomike, Sildi Mustafa i diplomuar për Informatike Biznesi si dhe Agred Tafaj i cili ka mbaruar studimet e masterit shkencor civil dhe ka marrë licencën e avokatisë.

Amela tregoi për situatën e saj.

“Dega ime është shumë hibride dhe në fund të tre viteve nuk di se ku të shkosh. Ishte shumë e vështirë të gjeja veten. Kam 6 muaj që kam hyrë në tregun e kompanive softwer.

Kam dashur shumë të iki jashtë por mendova pse jo mos të investoj në vendin tim. Por kam shumë miq që më këshillojnë të iki jashtë më sugjerojnë  universitete por për momentin nuk kam në plan të iki” u shpreh studentja Rahimi. Ndërsa Sildi tregoi se ai e ka menduar të iki jashtë.

 “Unë e kam menduar të studioja jashtë, por fillova këtu dhe aktualisht prej 3 muajsh jam në një punë. Kam bërë një vit pushim nga bachelori për të reflektuar për të parë edhe tregun” u shpreh Mustafa. Kurse Agred tregoi se kishte një qasje më ndryshe.

“Shansi im ishte i madh pasi babai im është avokat dhe pas studimeve vijova të punoj në profesion. Duhet të jesh edhe shumë i angazhuar, jam marrë me protesta për t’u bërë pjesë e senatit të Universiteti të Tiranës dhe nuk është se kam qenë keq në këtë aspekt” u shpreh ai.

Tafaj tregoi se cilat kanë qenë ato protesta që ishin produktive. “Protesta e studentëve ka qenë një përvojë ndryshe, pasi shikoje shumë student që ishin ekselent dhe vuanin në shumë aspekte. Por ata vendosën ti blinin studentët me një vend pune” u shpreh Tafaj.

Mustafa tregoi anët pozitive dhe negative.

“Ka anë pozitive dhe negative. Negative pasi ne si brez kemi shumë mangësi në studime. Por ana e mirë e kija ishte se diploma e universitetit ku unë kam studiuar vlen shumë në kompanitë e punëve. Studentët i shtyjnë mundësit më të mira të ikin jashtë, pasi këtu po duket se duan t’I vrasin pasi nuk ka mjedise për të shtruar ide, start up dhe të tërë nisen për të parë një karrierë jashtë. Do isha gënjeshtar po të thosh se nuk mendoj ende se dua të iki jashtë, e mendoj ende sepse ka më shumë mundësi” u shpreh Mustafa. 

Amelia tregoi sesi e ka parë meritokracinë në vendin tonë. “Që në venin tonë ka padrejtësi ajo dihet. Por nëse një student fillon me intership gjatë studimeve kur mbaron studimet ke më shumë mundësi që të gjesh një punë. Më shumë është të gjesh veten dhe në fund do kesh rezultate” u shpreh Rahimi. Mustafa tregoi sesa durim kanë të rinjtë për rritje në karrierë.

“Jemi popull që kemi pak këtë gjën që të durojmë me vite të arrijmë diçka i duam gjërat shpejt por nuk vë faj pasi me rrogat këtu të rinjve nuk kanë mundësi të plotësojnë nevojat dhe duan të rriten sa më shpejt në karrierë që të paguhen më mirë” përfundoi Mustafa.