Vendimi për Metën, Salianji: S’e kam ndjekur, PD e distancuar nga kjo çështje. Qëndrimet tona të qarta
Brenda 30 ditëve, Gjykata Kushtetuese do të vendosë fatin e Ilir Metës për postin e tij në Krye të Shtetit.
Ndërkohë deputeti i PD, Ervin Salianji në një intervistë për Ora News, është shprehur se këtë çështje nuk e ka ndjekur, ndërkohë ka shtuar se PD i ka bërë publike qëndrimet që ka në lidhje me këtë proces.
Ai tha se PD nuk ka qenë në parlament kur është marrë vendimi për shkarkimin e kreut të shtetit.
Ervin Salianji: Nuk e kam ndjekur edhe për shkak të aktiviteteve në terren, por qëndrimet tona si PD janë zyrtare dhe të dukshme, ne nuk jemi përfshirë në këtë proces. Nuk kemi qenë në parlament kur ka ndodhur kjo vendimarrje. Qëndrimet tona të mëparshme dhe të tanishme janë publike. Ne jemi të distancuar nga kjo.
Ndërkohë Salianji tha se Meta për datën e zgjedhjeve të 6 marsit thirri vetëm njërën palë (PS), duke shtuar se Presidenti ka luajtur një rol për të balancuar një pushtet që ka qenë në tepri.
Evin Salianji: Në rastin e dekretimit të zgjedhjeve pashë që Meta thirri vetëm njërën palë. Unë nuk heq asnjë prej elementëve që kam thënë që në datën e zgjedhjeve Presidenti ka luajtur një rol për të balancuar një pushtet që ka qenë në tepri. Roli I tij më pas duhet të gjykohet në bazën e veprimeve.
Intervistoi gazetari Everest Dedaj, përgatiti Anila Kolgjini.
