A do të regjistrohet Komisioni i Rithemelimit për 6 marsin? KQZ shqyrton sot kërkesën, kush janë problematikat
Një vendim i rëndësishëm ditën e sotme, 4 shkurt do të jetë regjistrimi i koalicionit "Shtëpia e Lirisë" për zgjedhjet e 6 marsit.
Pjesë e koalicionit është Komisioni i Rithemelimit, LSI dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.
Gazetarja Fiorela Beleshi bën me dije se sot në orën 12:30 kryekomisioneri Ilirian Celibashi do të marrë në shqyrtim kërkesën e koalicionit "Shtëpia e Lirisë" për tu regjistruar në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Problematika sipas Kodit Zgjedhor konsiston se në një koalicion mund të marrin pjesë vetëm aprtitë politike të regjistruara dhe Komisioni i Rithemelimit nuk është i regjistruar në KQZ për këto zgjedhje.
Një tjetër problematikë ka të bëjë me PD sepse në marrëveshjen e koalicionit është e shkruar që Komisioni i Rithemelimit është përfaqësues i PD, ndërkohë PD vetë është regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet për 6 bashkitë dhe ka nxjerrë kandidatët e saj.
Një tjetër pikë që mund të hasë diskutim ka të bëjë edhe me logon e koalicionit "Shtëpia e Lirisë" pasi ka simbole kombëtare dhe kjo mund të sjellë problematika.
