"Çmimi i naftës sa në Zvicër", Basha: Rama bën sherrbudallain kur i themi hiq takësn mbi karburantet
Varfëria dhe rritja e çmimit të karburantit ka qenë në qendër të fjalimit të kryetarit të PD Lulzim Basha në takimin me mbështetësit në Tiranë.
Për të Shqipëria është vendi me koston më të shtrenjtë në rajon dhe në të parat në Evropë, por me pagat më të ulëta.
"Me të vërtetë çmimi i naftës është rritur në të gjitha tregjet, por pse është më i ulët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut? Pse është kaq i lartë në Shqipëri, ku është pothuajse sa është në Zvicër ku marrin 16 herë më shumë të ardhura për frymë se sa në Shqipëri. Kush e ka harruar taksën Rama mbi karburantet? Kur shkojmë në Parlament dhe i themi hiqe bën sikur ngatërrohet, bën dhe sherrbudallain, shejtanbudallain. Thotë taksa e karbonit," tha Basha.
Sipas tij qeveria parashikon vetëm rritje të çmimit por jo masa.
"Pa pikë turpi thotë do rritet dhe 6 muajt e ardhshëm çmimi i naftës. Gjithë zinxhiri i prodhimit dhe i shërbimeve dhe do të reflektohet në gjithçka," tha Basha.
Jashtë vëmendjes së tij nuk kanë qenë as zgjedhjet vendore të 6 marsit, ku Basha akuzoi për bashkëpunim Meta-Berisha-Rama.
"Mund të rrinë të heshtur dhe mos futemi në këtë betejë, mund ta lëmë Ilir Metën që me dorën e Sali Berishës të marrë vota demokratësh dhe t'i çojë tek Ilir Meta e ky pastaj t'i çojë te Rama. O me demokratët për demokratët, o me Ilir Metën për Ilir Metën që do të thotë për Edi Ramën. S'e kam fjalën vetëm për 6 marsin," tha Basha.
Por Basha nuk harroi pa përmendur dhe tha se kjo shtëpi dhe parti është e demokratëve dhe kurrë s'do të jetë e asnjë emri të përveçëm, cilido qoftë ai.
