Ankimohet në KPP tenderi i menusë, dyshimet për Agollin, shpalli fitues ofertën më të lartë

Tenderi 400 mijë eurosh i realizimit të menusë së 100 fshatrave ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.  Kompania e cila kërkoi më pak para për projektin ka shprehur dyshimet për një vlerësim të gabuar të pikëve duke pretenduar dhe rishikimin e procesit

Një ditë pasi Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për tenderin e zhvilluar ndaj Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me drejtues Dritan Agolli çështja ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Kompania e cila ofroi vlerë më të ulët se fituesi ka kërkuar shqyrtimin e plotë të dosjes së realizimit të menusë së 100 fshatrave që do të ketë një kosto prej 400 mijë eurosh

Bashkimi i operatorëve me pronarë Nimete Pazaj, Linda Dervishaj dhe Enio Jaço kanë kërkuar nga KPP rishikimin e fituesit e me sa duket gjithçka ka lindur me skemën e vlerësimit të pikëve .

Referuar dokumentit të shpalljes së fituesit kompania ankimuese ka kërkuar 39 milionë lekës për të realizuar ofertën.

Por FSHZH ka përzgjedhur kompaninë Mascarpone me pronar Alfio Rotani, njëkohësisht dhe punonjës i restorantit të djalit të drejtorit të fondit shqiptar të zhvillimit. Më konkretisht Agolli ia ka dhënë punën kompanisë që kërkoi 41 milionë lekë, pra 2 milionë më shumë.

Në dokumentet zyrtare thuhet se kompania fituese ka marrë 273 pikë, pavarësisht ofertës më të lartë, ndërsa humbësit 268 pikë edhe pse kërkuan më pak para

Ankimimi i bërë në KPP nga ana e operatorit ankimues ka ardhur pas publikimit në media të dhënies së tenderit kompanisë së Alfio Rrotanit, i cili punon si kuzhinier në restorantin e djalit të Dritan Agollit.

Tashmë çështja i ka kaluar Komisionit të Prokurimit Publik për të dhënë vendimin nëse procedura do të lejohet të vijojë me nënshkrimin e kontratës apo do të ketë një rishikim dhe kthim të saj.