Skandali me tenderin 400 mijë euro/ PD: SPAK t'i shkojë deri një fund kësaj çështje, i përfshirë djali i drejtorit

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli pas publikimit të tenderit të dyshimtë që kap vlerën e rreth 400 mijë eurove.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat deputeti i PD Ervin Salinji tha se përveç tenderit 500 milion lekë, skandali thellohet edhe më shumë nga përfshirja e e kuzhinierit Alfio Rrotanit, i cili ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar”, që është në pronësi të Flladi Agollit.

Ai tha se qytetarët shqiptarë  duan transparencë për kostot e dyshimta të tenderit, ndërkohë inkurajon SPAK t’i shkon deri në fund kësaj çështje.

“Ndaj ne përshëndesim vendimin e SPAK për të nisur verifikimet për këtë tender tender skandaloz dhe i inkurajojmë t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje.”-tha ndër të tjera.

Deklarata e Ervin Salinjit: 

Përveç tenderit të ekzagjeruar, skandali thellohet edhe më shumë nga përfshirja e Rrotanit, i cili ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar”, që është në pronësi të Flladi Agollit, djali i vetë drejtorit FSHZH Dritan Agolli që ka bërë tenderin. Sot kjo çështje është marrë nën hetim nga SPAK dhe qytetarët shqiptarë presin transparencë për kostot e dyshimta të tenderit, për procedurën e ndjekur, e cila ka favorizuar kompaninë me ofertën më të lartë, dhe sidomos për lidhjet që drejtuesi i këtij institucionit ka me fituesin e tenderit.

Pasi, përtej justifikimeve të vonuara të drejtuesit të këtij institucioni, kjo listë gatimesh prej 500 milionë lekësh, për qytetarët shqiptarë përfaqëson një shuplakë përballë një relaiteti ekonomik të vështirë.  Sepse ndërkohë që zyrtarë të korruptuar shpërdorojnë taksat e qytetarëve më të varfër në Europë, me skema të tilla si kjo menu 500 milionshe, njerëzit e ndershëm të këtij vendi  vujanë varfërinë e krijuar nga korrupsioni. 

Ndaj ne përshëndesim vendimin e SPAK për të nisur verifikimet për këtë tender tender skandaloz dhe i inkurajojmë t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje.