"Elita politike gënjen sistematikisht popullin", Duma: Po të dalin të vërtetat do jenë shkatërruese
Deputetja demokrate, Grida Duma në Kuvend u shpreh se shqiptarët po gënjehen çdo ditë nga elitat politike. Sipas saj, dhuna më e madhe nuk është ajo fizike, por është dhuna politike.
Duke i krahasuar shqiptarët me një të burgosur mbi kokën e të cilit pikon sistematikisht një pikë ujë, Duma tha se gënjeshtrat e përditshme po çmendin popullin. Sipas saj, elitat politike dhe ata që kanë pasur më shumë pushtet, qoftë nga PS qoftë nga PD kanë krijuar një infrastrukturë mediatike e cila i mbron nga dalja në pah e të vërtetave që do ishin shkatërruese për ta.
Duma: Dhuna më e madhe që pëson njeriu nuk është fizike, është psikologjike. Në hierarkinë e dhunës, dhuna psikologjike është më e larta. Po të lësh një të burgosur në një hapësirë dhe një pikë uji t'i pikojë në mënyrë të vazhdueshme mbi kojkë për 1 muaj rresht, ai çmendet. Populli i thjeshtë shqiptar është ekzaktësisht në këtë gjendjen e të burgosurit, që është mbyllur këtu dhe në mënyrë të qëndrueshme si pika e ujit të burgosurit në torturë i thonë nga kjo elita politike vetëm gënjeshtra.
Kjo gënjeshtër është dhuna më e madhe që pësohet së pari psikologjikisht e cila na çon në një element tjetër që është kompleksi i fajit. Vazhdojnë sot elitat politike, ata që kanë pasur më shumë pushtet, qoftë nga PS, qoftë nga PD dhe gënjejnë si pika e ujit duke e çmendur këtë popull. Gënjejnë të gjithë në emër të popullit që po e bëjnë o për partinë, o për shqiptarët. Kanë ngritur një infrastrukturë mediatike, secili me oligarkët e vet që mbrohen në mënyrën më perfekte nga të vërtetat që po të dilnin në pah do të kishin qenë të vërteta shkatërruese për ta.
