"Ishalla e trondit tërmeti!" Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit "mallkon" kryebashkiakun e Pukës

Tërmeti i mes janarit me magnitudë 4,6 me epiqendër në Fushë Arrëz shkaktoi dëme në këtë bashki por dhe në Pukë.

Teksa bashkia Pukë tanimë ka një bilanc financiar të dëmeve, ajo e Fushë Arrëzit ndodhet ende në proces.

Kryebashkiaku Fran Tuci nuk ia kursen ironinë kolegut të tij socialist Gjon Gjoni, ndërsa thotë se disa bashki po tentojnë ta bëjnë të tyren tërmetin.

"Fushë-Arrëzi vetëm punon, nuk bën intervista, të tjerët afër duan edhe tërmetin ta marrin vetë, por atë që kërkojnë ishalla u shkon jo për qytetarët po sa t'i tronditë pak. Ekipet tona janë në terren, kanë kryer punën 80%, kanë plotësuar evidencat për dëmet që janë bërë," tha Tuci.

Dëbora është një tjetër shqetësim me të cilin po përballen këto zona malore, ku ende Iballa e Berisha janë të bllokuara.

"Duhen makina me zinxhir, kuptohet brenda rregullave dhe rrugët janë të kalueshme, përjashto rrugën e "Berishës" që shkon deri afër Komanit. Tani ka mbetur "Iballa" dhe "Berisha" që është i vetmi segment në bashkinë e Fushë-Arrëzit, që është i bllokuar," shtoi Tuci.

Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit deklaron se mjetet e Bashkisë janë duke punuar, por për shkak të terrenit të vështirë dhe temperaturat e ulëta normalizimi i situatës nuk është i lehtë.