"Audi" përplas të miturin në Berat, ndërron jetë 4-vjeçari. Si ndodhi përplasja

Një aksident me vdekje ka ndodhur sot në fshatin Samaticë, të bashkisë Dimal, orës 14:00, ku për pasojë ka ndërruar jetë një fëmijë në moshën 4-vjeç. 

Mësohet se i mituri është përplasur nga një automjet që qarkullonte me shpejtësi në rrugën e fshatit.

Mësohet se 4-vjeçari Gurim Oshafi ka qenë në makinë me xhaxhanë e tij dhe ky i fundit ka parkuar në anë të rrugës për të blerë diçka në një market. Fëmija, pasi ka parë xhaxhanë që ka dalë, ka hapur derën dhe ka kaluar me shpejtësi rrugën, ku edhe është përplasur e marrë zvarrë disa metra nga një automjet, tip ‘Audi’, me ngjyrë të zezë.

Pas përplasjes, fëmija ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vend dhe është transportuar me ambulancë drejt morgut të Spitalit Rajonal Berat.

Drejtuesi i mjetit,46-vjeçari Ramadan Gjozi,është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë.


Efektivë të Policisë Rrugore,kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se,kanë dëgjuar një zhurmë të fortë e disa ulërima dhe kur kanë dalë jashtë kanë parë fëmijën të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga gjaku.