Video e aksidentit në Berat/ Momenti kur “Audi” përplas për vdekje 4-vjeçarin, shoferi e merr në krahë ta çojë në spital

Ora News, ka siguruar videon e aksidentit që ndodhi ditën e sotme rreth orës 14:00 në Berat.
Në video duket momenti kur shoferi pasi përplas të miturin 4-vjeç, ndalon makinën, del nga automjeti dhe merr të miturin, që më pas niset me urgjencë për në spital.
Po ashtu shihet se një tjetër person vrapon drejt makinës që aksidentoi të miturin, dhe së bashku me shoferin janë nisur drejt spitalit, por fatkeqësisht policia bën me dije se i vogli ka humbur jetën.
Si ndodhi aksidenti
Mësohet se 4-vjeçari ka qenë në makinë me xhaxhanë e tij dhe ky i fundit ka parkuar në anë të rrugës për të blerë diçka në një market. Fëmija, pasi ka parë xhaxhanë që ka dalë, ka hapur derën dhe ka kaluar me shpejtësi rrugë, ku edhe është përplasur e marrë zvarrë disa metra nga një automjet, tip ‘Audi’, me ngjyrë të zezë.
Pas përplasjes, fëmija ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vend dhe është transportuar me ambulancë drejt morgut të Spitalit Rajonal Berat.
Drejtuesi i mjetit,46-vjeçari Ramadan Gjozi,është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat,ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Efektivë të Policisë Rrugore, kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se kanë dëgjuar një zhurmë të fortë e disa ulërima dhe kur kanë dalë jashtë kanë parë fëmijën të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga gjaku.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
