Zjarr në një banesë në Shkodër, ndërron jetë 79-vjeçari, plagoset bashkëshortja
Një zjarr ka përfshirë banesën në katin e parë të një pallati në lagjen Xhabije" Shkodër ditën e sotme, 3 shkurt.
Në momentin e zjarrit brenda shtëpisë ndodhej çifti i të moshuarve Pajati. Burime për Ora News bëjnë me dije se Musa Pajati, 79 vjeç ishte i paralizuar dhe nuk ka mundur të lëvizë. Si pasojë ai ka ndërruar jetë për shkak të flakëve. Bashkëshortja e tij ka pësuar djegie, por është nxjerrë nga fqinjët dhe është dërguar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Të parët që e sinjalizuan zjarrin kanë qenë fqinjët të cilët kanë parë tymin. Ata kanë tentuar të ndërhyjnë me mjete rrethanore, por më pas kanë kërkuar ndihmë të specializuar.
Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike ose ndonjë mjet të cilin çifti e përdorte për tu ngrohur.
Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe fqinjët.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e plota të zjarrit. Ora News sjell pamje nga vendi i ngjarjes ku forcat zjarrfikëse kanë mbërritur tashmë dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.


