U mbyt një fëmijë 3 vjeç, Mbyllet kopshti privat ‘Flatrat e Dijes’ në Fier
U desh ngjarja tragjike që Ministria e Arsimit të zbulonte se Kopshti “Flatrat e Dijes” në Fier funksiononte në shkelje të ligjit.
Gati një muaj nga vdekja fëmijës vetëm 3-vjeç Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për të mbyllur kopshtin ku vogëlushi gjeti vdekjen.
Nga kontrolli i ushtruar në institucion janë evidentuar shkelje të shumta.
Ministria e Arsimit njoftoi se kopshti “Flatrat e Dijes” nuk ka drejtues Didaktik, ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar, personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin si dhe nuk plotëson standardet infrastrukturore.
Për të gjitha këto shkelje institucionit arsimor privat i është hequr licenca.
Po ashtu kopshti detyrohet të kthejë pagesat e kryera nga prindit për pjesën e papërfunduar të frekuentimit të pajisë çdo fëmijë me dokumentacionin e nevojshëm shkollor dhe të mbulojë shpenzimet për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar.
Për ngjarjen e rëndë ku tre vjeçari dyshohet se u mbyt me xhupin e kapuçit të tij është arrestuar edukatorja Redina Binjaku.
Ky nuk është rasti i parë kur Ministria e Arsimit i vendos kyçin një institucioni privat për shkelje që ka konstatuar pas një ndodhie të rëndë.
Pyetja që shtrohet është nëse a duhet të ketë kontrolle të shpeshta në institucionet arsimore private apo duhet të presim sërish ngjarje të rënda për t`i mbyllur ato?

