Kapen ‘mat’ duke shitur lëndë narkotike, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohet një sasi lënde narkotike

Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht, pasi janë kapur duke shitur lëndë narkotike.

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasja D. M., 22 vjeç dhe Sh. Q., 30 vjeç, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa janë proceduar penalisht shtetasit F. K., 43 vjeç, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe D. M., 53 vjeçe, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". 

Blutë bëjnë me dije se shtetasi D. M. është kapur në flagrancë duke i shitur lëndë të dyshuar narkotike heroinë, shtetasit F. K.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit D. M. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike metadon.

“Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. M., u gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, të cilën shtetasja D. M., ka tentuar ta fshehë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh. Q., nga shërbimet e Policisë u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa.”- njofton policia.