Të zhdukurit e regjimit komunist, policia marrëveshje bashkëpunimi për kërkimin e 6 mijë personave

Policia kriminale dhe ajo shkencore do të përfshihen në kërkimin e trupave të personave të ekzekutuar gjatë regjimit komunist. Kryepolici Gledis Nano firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit për këtë çështje me autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për identifikimin dhe zbulimin e rreth 6 mije personave të cilët u ekzekutuan gjatë kohës së komunizimit.

Një ekip i policisë kriminale dhe policisë shkencore do të vihet në dispozicion të autoritetit për informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të cilët sa bashku do të fillojnë me identifikimin dhe rikuperimin e trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit.

"Do të vendosen në dispozicion të ekipit që do të merret me procesin e gjetjes dhe zhvarrimeve, specialistë të policisë shkencore, specialistë për hetimin e krimit, ndihmës specialistë të policimit të komunitet si dhe shërbimet e patrullës së përgjithshme të cilat do të garantojnë rendin dhe sigurinë gjatë këtij procesi," tha Nano.  

Drejtori i përgjithshëm Gledis Nano u shpreh se në këtë faze bashkëpunimi policia është përfshirë në gjetjen e trupit të të zhdukurit si në marrjen e kallëzimit apo vënien në dijeni nga familjarët.

"Veprimtari e policisë së shteti është e fokusuar në parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave kriminale. Për këtë arsye ajo është e përfshirë që në fillim të procesit të gjetjes së trupit të një të zhdukuri si në rastin e marrjes së kallëzimit apo vënies në dijeni nga familjarët e viktimave apo edhe në rastin e zbulimit të vendndodhjes së trupit të të zhdukurit për të ndërmarrë veprimet e duhura," tha Nano.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula bashkëpunimi me policinë ishte i shtyre nga familjaret të cilët shpesh herë kanë bërë kërkesa për fillimin e punës për gjetjen e trupave të pa jetë.

"Ju me gjithë trupën tuaj keni qenë në një hap me ne në shqetësimet që ne patëm në përgjigje të kërkesave të individëve të ndryshëm familjarë të cilët kishin pjesëtarë të  familjes së tyre të pagjetur nga periudha e komunizmit," tha Sula.

Nga periudha 1944 – 1991, janë mbi 6.000 persona u ekzekutuan në Shqipëri me ose pa urdhër të dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë.