Banorët e Paskuqanit, “5 Majit" dhe Laprakës para parlamentit: Balluku bën botokse 50 mijë euro, ne na prishin shtëpitë

Banorët e Paskuqanit, të lagjes "5 Maji" në Tiranë dhe ata të Laprakës janë bërë bashkë para kuvendit për të kërkuar dëmshpërblim për banesat që do tu shemben.

Me banderola në duar fëmijë e të rritur, kanë përshkruar jo vetëm hallin që u ka rënë, por dhe akuzat ndaj qeverisë për  veprime arbitrare dhe në shkelje të së drejtës mbi pronën.

Me të njëjtin hall e me të njëjtin zë kërkuan ndërhyrjen e deputetëve.

"Të vijnë të dialogojnë, pasi në të kundërtën na detyrojnë t'i përshkallëzojmë këto protesta siç po ndodh edhe sot."

"Nuk ka transparencë në projekt, po vjen e po na prish shtëpia pa asnjë dëmshpërblim."

"Kjo është Belinda Balluku, bën botokse 50 mijë euro, ne na prishin shtëpitë"

Parlamentarët zgjodhën të mos kalonin përmes hyrjes kryesore, por shmangën tubimin. E ndërsa në kuvend ministri manja fliste për situatën në burgje dhe operacionin me 28 të ndaluar, nënë Liza u rikthye në protestë për të kërkuar një strehë për të cilën ka punuar tre dekada.

Pavarësisht  numrit të protestuesve dhe prezencës së policisë këtë të enjte nuk u shënuan incidente, edhe pse familjarët deklaruan se nuk do të ndalen.

Pas tubimit prej dy orësh familjarët u drejtuan tek ambasada amerikane për të kërkuar reagim në mbrojtje të pronës.

"Mua më shembet shtëpia më datë 22, ju lutem më pranoni vizat, të vij të jetoj në Amerikë."