"Sistemi i burgjeve ka shumë probleme", Hajdarmataj: Policët më të diskredituarit, kjo i bën lehtësisht të korruptueshëm

Të dënuar deri në qelitë e izolimit 41-Bis dhe zyrtarë të korruptuar kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare të vendit. Prej qelive të burgosurit drejtonin veprimtari kriminale, ndërsa gardianë e bashkëpunëtorë të lirë ishin kthyer në postierë të porosive. Skandali u zbulua nga policia e Elbasanit që ka evidentuar 28 persona të përfshirë në një skemë që tregon dështimin e sistemit të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se goditja e grupeve kriminale është në të mirë të shoqërisë.

Hajdarmataj: Duhet të ballafaqohemi me faktin sepse ne shpesh themi që kanë probleme sistemet, kanë probleme strukturat e policisë, por në fund të fundit ngelet vetëm në kuadrin e informimit të opinionit publik dhe nuk shohim shpesh goditje konkrete. Sistemi i burgjeve ka shumë probleme për arsye se ne kemi parë kriminelë të përmasave të larta në aktivitetin e tyre kriminal komandojnë dhe kanë urdhëruar vrasje nga burgjet. Kanë interferuar në gjithë sistemin e drejtësisë, deri në lirimin e tyre dhe persona të dënuar me burgim të përjetshëm. Vetë fakti që janë të përfshirë shumë persona në grupin që është kapur kohët e fundit tregon që ku dhe si çalon sistemi i burgjeve, aq më tepër te burgu i ekstra sigurisë së lartë, 41-bis.

Hajdarmataj u shpreh se  edhe policia e shtetit nuk është pa faj, sepse në fund të fundit aktivitete kriminale që drejtohen nga të dënuar, dhe të dënuar me burgim të përjetshëm do të thotë që policia e shteti është inekzistente në kuptimin e kontrollit të situatës.

Hajdarmataj: Policia mjaftohet me një njeri që thjesht u arrestua dhe u dënua nga Gjykata dhe pastaj kjo çështje mbyllet nga ana e policisë dhe nuk mbahen nën vëzhgim dhe nën kontroll të gjitha lidhjet e tij kriminale në mënyrë që të bëhet e mundur goditja e çdolloj aktivitetit kriminal.

Por, ku e gjejnë hapësirën kriminelët që implikojnë apo bashkëpunojnë me punonjës të policisë apo punonjës të burgjeve? A janë të korruptuar këta zyrtarë apo të kërcënuar?

Hajdarmataj: Kërcënimi mund të jetë në ndonjë rast ekstrem, por në përgjithësi janë të korruptua. Shkalla dhe  mënyra e korruptimit, nevoja sepse mund të ketë dhe nevojë sepse nuk ushqen dot familjen sepse në fund të fundit bëjmë vetëm kritika, por duhet të shohim realitetin si është, më të diskredituarit në Shqipëri janë punonjësit e burgjeve. Nuk kanë absolutisht asnjë lloj shërbimi. Mjafton të dalësh në orën 5 ose 6, kemi mbi dhjetëra policë që shërbejnë në burgun e Lezhës që i ngrenë dorën automjeteve për t'i marrë. Kanë uniforma skandaloze, trajtim e skandaloze, trajtim zero. Për policinë e burgjeve nuk është bërë asgjë. Në këtë kuptim dhe ana korruptive e tyre është shumë më e lehtë.

Zoti Hajdarmataj tha se duhet një strategji shumë e qartë për ta nxjerrë policinë nga kjo situatë. Sipas tij duhet të ndërtohet një strategji duke filluar nga mënyrat e motivimit të këtyre punonjësve të policisë, mënyra e rritjes së besimit të tyre brenda strukturës, përzgjedhja.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Xhuljana Zhuleku