Ndalohen qeset plastike nga 1 qershori, drafti në Kuvend: Përdoruesit e tyre do gjobiten me 30-100 mijë lekë
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përgatitur draftin lidhur me përdorimin e qeseve plastike. Sipas këtij drafti, qeveria shqiptare parashikon heqjen e përdorimit të këtyre materialeve që nga qershori i këtij viti. Gjithashtu, këshilli i ministrave ka parashikuar gjoba për ata që importojnë dhe përdorin qeset plastike.
Nga 1 qershori i këtij viti do të ndalohet prodhimi, shitja dhe futja e qeseve plastike për përdorim individual.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka prezantuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese draftin, i cili parashikon heqjen e përdorimit të qeses dhe ndëshkimin me gjobë për ata që shkelin ligjin.
"Çdo person që hedh ne treg, prodhon apo importon qese plastike dënohet me gjobe nga 1 milion deri ne 1500000 mln leke. Çdo person që përdor qese plastike dënohet me gjobë nga 30 mije deri ne 100 mije leke."
Drafti është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët shprehen se me këtë ligj shumë biznese do të falimentojnë dhe shumë persona do të mbeten pa punë dhe se vlera e gjobës për përdoruesit është shumë e lartë.
"Kjo inciativë ligjore ka efekte te drejtpërdrejta financiare sepse do të bëjë të mundur falimentimin e 20 biznese qe kane një kosto miliona euro qe kane blere makineritë dhe do nxjerre nga tregu i punës jo me pak se 500 veta te punësuar në këtë sektor."
Ministrja Kumbaro ka sqaruar se subjektet ekonomike qe operojnë në prodhimin e qeseve plastike nuk do të bllokohen për prodhimin e tipologjive të tjera të plastikës.
Ndërkohë sa i përket sanksioneve, vlera është brenda marzhit të përcaktuar në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili është miratuar në vitin 2011.

