Iu shembën banesat, banorët e ‘5 Majit’ dhe të Laprakës në protestë, përplasen me policinë
Banorët e mbetur pa çati të lagjes 5 maji dhe ata të Laprakës, të cilët rrezikojnë të njëjtin fat zhvilluan një marshim proteste në kryeqytet. Protesta vjen pas dështimit të negociatave në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku kryebashkiaku Erion Veliaj refuzoi përballjen me ta.
“Fëmijët tuaj në luks, fëmijët tanë të pastrehë”- ka qenë kjo një ndër pankartat të cilat banorët e Laprakës dhe “5 maj”-it shfaqen gjate marshimit te protestës drejt Unazës.
“Lajmëroni komshinjtë, lajmëroni njerëzit, kushërinjtë, djem hallash djem tezesh që t’i bashkojmë të gjithë forcat. Të ja dërgojmë Kryeministrit poshtë dritares këtë protestë.”
Numri i protestuesve, ishte më i madh se ditët e tjera duke qenë se shumë qytetare, kanë kuptuar se banesat e tyre janë projektuar për t’u shembur.
“Kemi katër muaj që protestojmë. Ja kemi parë sherrin Veliaj gjithë jetën. Tërë jetën do zgjasë protesta deri sa të marrim pronat tona.”
Për të mbajtur këtë marshim, banorët, kanë njoftuar ditën e djeshme policinë e shtetit për faktin se do të bllokoheshin disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit ndër to edhe kryqëzimin tek “Medreseja”.
Por pavarësisht këtij njoftimi, policia tentoi te shpërndante këtë protestë.
Policia shoqëroi ne komisariatin numër katër në Tiranë Bled Markun, një nga protestuesit e Laprakës, avokatja e banoreve tha se nuk u dha asnjë sqarim për këtë.
"Mendohet të jetë shoqëruar për tubime të paligjshme, tubime të paligjshme nuk ka më. Ka vendim të Gjykatës Kushtetuese të datës 4/05/ 2021, që nuk ka më pse të merret në leje pranë institucioneve shtetërore. Punonjësit e policisë dhe detyra e tyre gjatë zhvillimit të një proteste është mbrojtja e banorëve që zhvillojnë tubime paqësore."
Banorët e këtyre zonave kanë protestuar prej 4 muajsh kundër prishjes së banesave. Madje në pamjet e transmetuara vazhdimisht nga Ora News është vënë re që për të kundërshtuar vendosmërinë e banorëve policia ka ndërhyrë edhe duke përdorur dhunë.
