Socialistët përplasen në Vlorë, Këshilli i Bashkisë dhe Prefekti nuk gjejnë dakordësi për buxhetin
Këshilli i bashkisë së Vlorës ka rrëzuar ankimin e Prefektit të qarkut për projekt-buxhetin e Bashkisë. Kjo situatë ka shënuar një përplasje të re mes socialistëve në Vlorë pas përplasjes së këshillit me kryetarin Dritan Leli.
Këshilltarët votuan unanimisht buxhetin e vitit 2022 rrëzuar nga prefekti i qarkut Flamur Mamaj me argumentin e paligjshmërisë.
Nga katër shkeljet e pretenduara këshilltarët reflektuan vetëm atë për emërtimin e paketës fiskale.
"Kam kërkuar gjatë gjithë kësaj periudhe që këta ekspertë ose këta firmëtarë që kanë bërë këtë relacion të ballafaqoheshin me Këshillin e bashkisë dhe me ekspertët e administratës së bashkisë. Nuk më është pranuar, më është refuzuar."
Të vetëm në qeverisjen e Vlorës në çdo institucion, socialistët duket se vazhdojnë të përplasen me njëri tjetrin.
Edhe pse në pamje të parë, dukej si luftë politike, arsyet duket se janë të tjera.
"Faktet të cilat janë të pabazuarra me asnjë ligj, vendim dhe rregullore që operon njësia e qeverisë vendore që quhet bashki Vlorë. Do t'i kujtoj këtyre ekspertëve firmëtarë të këtij relacioni, lexoni."
Pas aktit sfidë të këshillit bashkiak të Vlorës, buxheti i bashkisë për vitin 2022 kthehet sërish tek prefekti.
Ky i fundit do të shihet tashmë nëse do ta firmosë apo do ta ankimojë në gjykatë duke e çuar në një nivel të ri luftën brenda familjes politike të socialistëve.
Deri atëherë, qytetarëve të Vlorës u mbetet të presin për investimet dhe shërbimet e premtuara.
