12 vjet burg Saimir Tahirit, Prokuroria: Tahiri favorizoi grupin e Habilajve në 4 raste
Prokuroria kërkoi për herë të dytë dënimin e Saimir Tahirit me 12 vjet burg për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal. Vendimi pritet të shpallet më 4 shkurt ndërkohë që ish-ministri I cili ka kërkuar gjykim të shkurtuar ka hedhur poshtë akuzat për favorizimin e grupit të Habilajve në katër raste të dërgimit të ngarkesave me drogë nga Shqipëria drejt Italisë.
Prokuroria kërkoi dënimin me 12 vjet burg për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal
12 vite heqje lirie për të njëjtat akuza, u kërkua nga prokuroria edhe për ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela ndërkohë që vendimi pritet të shpallet në datën 4 shkurt në ora 13.00.
Prokurorët thanë se kanë prova se ish-ministri I brendshëm dhe ish-drejtori I policisë së Vlorës kanë pasur lidhje me anëtarët e grupit dhe Habilaj dhe i kanë mbështetur e mbrojtur ata në të paktën katër episode trafikimi të drogës në drejtim të Italisë.
Në seancën që ka nisur në ora 11 të së hënës dhe ka vijuar deri në 16.30, ish-ministri Tahiri ka hedhur poshtë akuzat.
Ai ka thënë se episodi i parë i trafikimit të drogës nga grupi Habilaj përkon me kohën kur ai kishte vetëm 14 ditë që kishte marrë detyrën.
Në seancë ish ministri dhe avokati i tij paraqitën konkluzionet e mbrojtjes duke theksuar se policia I ka proceduar anëtarët e grupit Habilaj në tri rastet e tjera të trafikimit të narkotikëve nga Vlora drejt Italisë.
Saimir Tahiri theksoi se gjatë kohës që ka drejtuar ministrinë e brendshme 4 herë u ka bërë shkresa institucioneve duke i njoftuar se nuk punonin radarët për mbikëqyrjen e hapësirës detare mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ndërkohë në dalje të gjykatës, ish-ministri tha se tashmë prej 4 vjetësh, pret verdiktin e drejtësisë.
Tahiri: Nuk kam asnjë bashkëpunim me personat e akuzuar, Prokuroria nuk ka vërtetuar akuzën ndaj meje.
Çështja ndaj ish ministrit dhe ish kreut të policisë së Vlorës u kthye në apel nga gjykata e lartë.
Objekti kryesor i rekurseve të prokurorisë dhe avokatëve ishte ligjshmëria e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit si dhe vendimmarrja e saj për ndryshimin e akuzave “nga trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim dhe “grupi i strukturuar kriminal” në “shpërdorim detyre”.
