KLP shkarkon nga detyra prokuroren e Dibrës, Belina Zeneli

KLP shkarkon nga detyra prokuroren  Belina Zeneli (Kryemadhi), për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu, Këshilli vendosi Pezullimin e përfitimit të pagës në masën 50 %, si dhe përfitimet e tjera të magjistratit, derisa vendimi të marrë formë të prerë.

Prokurorja, Belina Zeneli, një nga dy prokurorët që hetoi dosjen e bujshme "184”.

KLP vendosi sot pranimin e kërkesës Nr.2346 prot., datë 29.10.2021, të paraqitur nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.

Pas përfundimit të hetimeve nga ILD-së, Zeneli kishte zvarritur 10 çështje gjyqësore dhe kishte cenuar besimin te drejtësia. ILD argumentonte se nga veprimet e prokurores Belina Zeneli, nuk janë zgjidhur 33 procedime penale, ndërsa nuk ka kryer verifikime për 300 kallëzime. 

Me votë unanime, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi se numri maksimal i kandidatëve për magjistratë të profilit prokuror që do të pranohen në programin e formimit fillestar të Shkollës së magjistraturës për vitin akademik 2022-2023, është 35 kandidatë.

Gjithashtu me shumicë votash, Këshilli vendosi zgjatjen me një periudhë tremujore të caktimit të përkohshëm të znj. Suela Beluli, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në detyrën e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, përkatësisht nga data 03.02.2022 – 02.05.2022.