Primaret, Mandia: Proces demokratik! Koha për t’u dhënë fund emërimeve përmes lidhjeve dhe lekëve
Ditën e djeshme u zhvillua procesi i votimit të primareve të PD, ku u zgjodhën kandidaturat e 6 bashkive për zgjedhjet e 6 marsit.
Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit Ledina Mandia, në një intervistë për Ora News, tha se dje u zhvillua një proces demokratik, ndërsa ka shtuar se dje pati një pjesëmarrje masive të anëtarësisë.
Ledina Mandia: Ishte një proces demokratik. Ishte mbajtja e një premtim, ishte ajo çfarë kërkoi anëtarësia. Kërkoi kthimin e garës, të konkurrencës dhe të demokracisë direkte. Dje votuan anëtarët për të përzgjedhur kandidatët për kryetarët të Bashkie. Në të ardhmen ne kemi premtuar që çdo kandidat, do të bëhet përmes primare. Ne dje pamë një pjesëmarrje masive të anëtarësisë.
Ajo tha se ka ardhur koha që t’u jepet fund emërimeve që bëhen nga kryetarët e partive.
Ledina Mandia: Demokracia direkte është ajo që i lypset qytetarëve, dhe ndërkohë praktikat përsa i përket emërimeve nga kryetarët e partive, përmes lidhjeve dhe zarfeve me lekë duhet të ezaurohen dhe t’u jepet mundësi qytetarëve që të japin kontributin e tyre në zgjedhjen e kandidatëve që i përfaqësojnë ata. Pjesëmarrja në parlament është shumë e rëndësishme, opozitarizmi bëhet vetëm duke marrë pjesë dhe duke denoncuar çdo akt korruptiv të qeverisjes. Në këto kushte mendojmë se ishte gjëja më e mirë që i nevojitet qytetarëve. PD është një dhe e vetme, e ka vendosur anëtarësia.
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.
