"Ka nisur asgjësimi i të dhënave dhe materialeve të 25 prillit", Celibashi: Partitë do marrin fonde për 6 marsin

Përveç identifikimit elektronik, partitë e mëdha politike kanë rënë dakord që në bashkinë e Vorës qytetarët të votojnë në mënyrë elektronike, për të patur edhe një rezultat në kohë rekord. Për të shmangur rrjedhjen e të dhënave personale nga pajisjet PEI, KQZ ka shkatërruar këto informacione nga pajisjet të cilat me 25 prill bënë identifikimin elektronik.

Rreth 30 mijë zgjedhës të bashkisë së Vorës, me 6 Mars, do të votojnë në mënyrë elektronike.

Partitë politike kanë rënë dakord me propozimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që në këtë zonë zgjedhore të përdoret tërësisht teknologjia, që nga identifikimi deri tek numërimi.

"Kemi pasur dakordësi nga partitë kryesore politike mbi përdorimin e sistemit të idenntifikimit elektronik në bashkinë e Vorës, tha Celibashi.

Pasi qeveria t’i akordojë KQZ shumën prej 180 mln lekë për organizimin e zgjedhjeve në 6 bashkitë, partive politike do t’u shpërndahet edhe fondi për fushatën elektorale e cila nis me 19 shkurt.

"Kemi bërë të gjitha procedurat në këtë kuadër dhe tani i ngelet Kuvendit për të përcaktuar fondin, vlerën e fondit dhe modalitetet e shpërndarjes së këtij fondi," tha ai.

Kryekomisioneri Celibashi dhe nënkomisionerja Pelinku i dhanë ok administratës për shkatërrimin e të dhënave nga pajisjet PEI, që me 25 prill u përdoren për identifikim elektronik.

"Kemi marrë masat që ky proces të jetë i sigurt dhe mos ketë asnjë lloj problematike. Në rastin teorik nëse këto të dhëna do mund t'i përfitonte mënyrë abuzive dikush, ato janë krejtësisht të palexueshme nga çdo palë e tretë," tha Celibashi.

Në zyrën e kryekomisionerit Celibashi, për të parë më nga afër procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të pjesshme vendore, ka qenë edhe Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca.