Zbulohen dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutave me vlerë 1 mln euro, 4 të arrestuar

Zbulohen dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutës. Një  strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë, Shijak, Durrës.

Policia ka sekuestruar qindra pajisje që shërbenin për prodhimin e kriptovalutës, të cilat ishin në gjendje pune në këto dy struktura.

Në pranga kanë rënë 3 shtetas dhe u shpallen në kërkim 4 të tjerë.

U arrestuan shtetasit A. Ç, 26 vjeç dhe  Rr. D, 36 vjeç,  banues në Tiranë si dhe L. Xh, 23 vjeç,  banues në Lushnje.

U shpallën në kërkim shtetasit E. H., M.Gj, E.H dhe Th.Z, banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera nga “Njësia C – për  Hetimin e  krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti përsa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore .

Nga verifikimet dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas megjithëse nuk kanë marrë një përgjigjie pozitive  nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare  për krijimin e këtij aktiviteti kanë  zhvilluar aktivitetin e tyre i cili bie ndesh dhe me ligjin Nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’ duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.

Po ashtu asnjë aspekt i veprimtarisë së këtyre shtetasve nuk është i qartë përsa i përket aseteve të kompanisë, zhvillimit të aktivitetit, deklarimit të fitimit, futjes së të dhënave kompjuterike me qëllim përfitimin monetar etj.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin  e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme  dhe dokumenta të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme etj.

Deri më tani vlerësohet se për krijimin e këtij aktiviteti këta shtetas kanë shpenzuar rreth 1.000.000  euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, “Ushtrimi pa liçencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe  “Pastrimit të produkteve të veprës penale” .