Nano nga Kukësi kërkon marrjen e masave për parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike

Kukësi ka qenë ndalesa e radhës e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano. Në analizën e komisariatit ai u ndal në masat për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe trafiqeve.

"Ajo që synojmë të arrijmë në një nivel më të lartë të rezultateve që është dominimi nga policia e shtetit e gjithë situatës të kriminalitetit në qarkun Kukës, parandalimi dhe lufta pa kompromis të lëndëve narkotike, tregtimi dhe më pas trafikimi i tyre," tha Nano.

Edhe pse jemi në janar, Nano kërkoi nisjen e përgatitjes për sezonin turistik.

"Ritheksoj të gjithë angazhimin e policisë së shtetit për të krijuar ambientin sa më të sigurt për gjithë qytetarët e qarkut Kukës dhe për gjithë turistët që frekuentojnë këtë vend," tha Nano.

Në analizën e bërë është vlerësuar angazhimi në kapjen e autoreve qe kane kryer vepra te ndryshme penale.