Vritet nga komshiu, fqinjët e 64-vjeçares nga Kuçova: Ishte gjysmak!
Policia e Kuçovës arrestoi të premten autorin e vrasjes së 64-vjeçares Fatime Suli e cila u gjet pa jetë në një kanal të fshatit Havales një ditë më parë, 20 janar. Autori i krimit është Fetah Marra, i njohur si person problematik në fshat. Arsyet e ngjarjes së rëndë nuk janë zbardhur ende.
Fatime Suli, e cila u gjet pajetë mbrëmjen e të enjtes në një kanal të fshatit Havales në Kuçovë, rezulton të jetë vrarë nga komshiu.
Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar Fetah Marra.
Ishte autopsia mjeko-ligjore që zbuloi asfiksimin nga mbytja me duar si shkak të vdekjes së 64-vjeçares.
Pas marrjes në pyetje të familjarëve e banorëve por edhe këqyrjes së pamjeve filmike të disa kamerave të bizneseve në fshat u bë i mundur identifikimi dhe ndali i autorit.
Dyshohet se Fetah Marra e ka mbytur 64-vjeçaren dhe më pas e ka hedhur në një kanal.
Fatime Suli mbrëmjen e të enjtes humbi kontaktet me familjarët.
Ata e kërkuan për disa orë e më pas e gjeten gjysmë të zhveshur e të mbuluar me gjethe rreth një kilometër larg nga banesa.
Dyshimet e para janë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta ndërsa në polici Fetah Marra ka dëshmuar se i kishte para borxh familjes së viktimës.
Të tronditur nga ngjarja banorët e fshatit Havales e përshkruajnë si problematik autorin e vrasjes.
"Ai ishte gjysmak, ishte me shumë të meta mendore, me gjithë të këqijat ishte."
"Nuk ka pasur kurrë familje, ka qenë i martuar, i divorcuar disa herë."
"Gjysmak ishte i shkreti."
58 vjeçari Fetah Marra rezulton të jetë i divorcuar nga bashkëshortja e prej vitesh jetonte në vetmi.
