Shembjet tek "5 Maji", pronarët e 2 shtëpive: Kishim certifikatë pronësie. Drejtësinë do e kërkojmë në Gjykatë

Pronarët e dy prej banesave të shembura në zonë e 5 majit akuzuan bashkinë e Tiranës për veprime të paligjshme. Ata thanë se kanë certifikatë pronësie për objektet që u janë shembur dhe se drejtësinë do ta kërkojnë në gjykatë. Ledion Mziu i cili u lidh me pranga në çatinë e shtëpisë tregoi edhe shenjat e dhunës nga ndërhyrja e policisë.

Klodian Laçi dhe Ledion Mziu, dy banorët e "5 Majit", thanë në studion e Ora Neës se kanë dokumentacion të plotë pronësie për dy banesat që iu shembën të mërkurën nga bashkia e Tiranës me mbështetjen e policisë.

"Unë jam i pajisur me certifikatë pronësie, jam pronar i truallit dhe i banesës në të cilën jetojmë 3 kurora. Si mund të quhet shtëpia ime ndërtim i kundraligjshëm ndërkohë që unë kam një hipotekë, ndërkohë që shtëpinë e kam bërë me djersë, kam marrë kredi për ta rimodeluar dhe akoma nuk e kam shlyer. Akoma shtëpia ime është barrë në sistemin bankar. Dua të qartësoj diçka, aty është pronar i truallit dhe banesës.  Kemi ndërtuar shtëpitë tona konform ligjeve në fuqi, ligjeve të shtetit shqiptar."

Ato thanë se kontrata që u është ofruar është një dokument draft, ku u kërkohet të heqin dorë nga pretendimet që kanë mbi pronën.

"Ajo çfarë na është ofruar ne, është një draft-kontratë që nuk ka as numër protokolli, as datë, asgjë. Thjesht një draft-kontratë. Ai përmend më vonë kontrata, thotë që pajisesh me pronë kur të mbarojë projekti.

I riu Ledion Mziu që protestoi kundër shembjes së shtëpisë duke u lidhur me pranga tregoi në transmetim live shenjat e dhunës nga ndërhyrja e policisë.

"Kam dhimbje në pjesën e qafës."

Ai thotë se gjatë prangosjes i kanë marrë dhe aparatin celular të cilin ende nuk ia kanë dhënë edhe pse aty kishte prova mbi paligjshmërinë e ndërhyrjes tek "5 Maji."

"Kur kam qenë duke zbritur shkallët e shtëpisë, përpara se të më shoqëronin në furgonin e policisë i kam kërkuar celularin sepse doja të bëja një telefonatë, më thanë që do ma jepnin në komisariat. Kur dola nga komisariati më thanë që nuk gjendet aparati celular, ndoshta e kanë Shqiponjat."

Pronarët e dy banesave të shembura thonë se këtë çështje tashmë e kanë çuar në Gjykatë dhe presin që drejtësia të veprojë.