Pse drejtësia e re s'po funksionon? Rama: Po të ishin gjërat kaq të thjeshta, s'do i vinte radha një piktori të bëhej kryeministër
Në një komunikim me ndjekësit e tij në Facebook, kryeministri Rama teksa kujtoi 21 janarin e vitit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues tha se në 11 vite janë bërë hapa të rëndësishëm në reformën në drejtësi.
Rama: Këto 11 vite u bë si vijon. E para fituam zgjedhjet, e dyta u angazhuam për reformën në drejtësi, bëmë reformën në drejtësi, nisëm procesin e pastrimit të llumit në drejtësi me largimin e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që vazhdon sepse llumi është pambarim, filloi ngritja e institucioneve të reja, SPAK-u, Gjykata Speciale janë dy institucione të reja të cilat kanë filluar të funksionojnë. Nëse këto duken pak, nuk ka si të duket shumë në raport me një pritshmëri shumë të gjatë, por më besoni janë shumë për harkun kohor në të cilin kanë ndodhur.
Përse drejtësia e re nuk po funksionon?
Rama: Drejtësia e re ka filluar të funksionojë, por është një foshnje e cila ka filluar të hedhë hapat e parë dhe kërkon kohën e vet. Nuk mund të jetë një proces sa hap e mbyll sytë. Po të ishin gjërat kaq të thjeshta do i kishin bërë të tjerët më parë, nuk do i vinte radha një piktori të bëhej kryeministër.
