"21 janari", Rama: Reforma në drejtësi përbaltet në Foltore e Brava, por është gur themeli i munguar për 100 vjet

Kryeministri Rama në 11 vjetorin e protestës së 21 janarit ka bërë një komunikim Live në faqen e tij Facebook.

Në atë protestë, tha Rama, e cila degradoi në disa djegie por larg objektit të rëndësisë së veçantë, kryeministria nuk u prek nga askush dhe nga asgjë.

Rama: Ajo ishte e rrethuar nga Garda dhe dukej si një vilë e madhe private e pasanikëve ish-sovjektikë dhe jo si pallati i një qeverie demokratike. Asnjë protestues nuk e kapërceu atë gardh. Asnjë gur nuk u hodh përtej atij gardhi, asnjë zjarr nuk e përpiu. Shkurt asgjë nga ato që më pas ndodhën shumë rëndom përballë kësaj godine kur palët politike ndërruan vendet dhe kur pala që sot mbrohet me dyer të blinduara, nga pala që sulmon me qysqi dhe shkallë ishin bashkë në agresionet e panumërta mbi kryeministrinë.

Rama tha se e kanë shlyer pjesën e detyrimit që i takon me  dëshmorët e 21 janarit.

Rama: Këtu e kam fjalën për reformën në drejtësi e cila përgojohet përditë nga kundërshtarët e saj, denigrohet përditë nga armiqtë e saj, e cila përbaltet dhe masakrohet përditë foltore më foltore, bravë më bravë, portal më portal, klub më klub, por që është pa asnjë dyshim guri i themelit të munguar prej 100 vjetësh në këtë shtet, ku drejtësia s'ka qenë kurrë drejtësi. Ka qenë ose një gur në duar e pushteti për të vrarë, burgosur armiq ose një gur në kandarin e pazareve me të drejtën e të tjerëve para dhe pas komunizmit. Për herë të parë, duan apo s'duan, është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri me reformën në drejtësi dhe këtë gur e ka vënë kjo shumicë qeverisëse nën drejtimin tim.