Kuçovë: Fqinji mbyti 63 vjeçaren dhe e hodhi në kanal
Gruaja e cila u gjet e vdekur në një kanal mbrëmjen e 20 janarit 2022, është vrarë.
Këto janë dyshimet e policisë e cila ka arestuar një 58 vjeçar, fqinjin e 63 vjeçares, banore e fshatit Havaleas në Kuçovë.
Trupi i pajetë u gjet i hedhur në një kanal, gjysëm e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga.
“Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 58 vjeç, banues në fshatin Havaleas, Kuçovë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, e ka mbytur dhe e ka lënë në një kanal shtetasen F.S., 64 vjeçe, banuese në fshatin Havaleas, Kuçovë" informoi sot policia.
Viktima Fatime Suli u transportua gjatë natës drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar.
Konfirmimi i vrasjes së gruas vuri në lëvizje policinë e Beratit, për të identifikuar dhe arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje si dhe vëzhgimit të disa kamerave në bizneset përreth,u bë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të vrasjes, 58-vjeçarit Fetah Marra, që rezulton të jetë komshiu i viktimës.
I arrestuari është duke dhënë dëshminë e tij në polici, ndërkohë që burime të brendshme policore konfirmojnë se vrasja ka ndodhur pas një konflikti për disa para borxh,që komshiu i kishte familjes së gruas.
