"Ryshfeti në gjyqësor 3-4 herë më i lartë se ishte", Berisha: Rama mendoi se do ta përdorë si hanxhar, drejtësia në paralizë
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se reforma në drejtësi e kolapsoi sistemin.
Në emisionin "Drejt" në Rtv Ora ai thotë se pasojat janë të pariparueshme me 100 mijë dosje stok në Gjykatën e Lartë të Apelit.
Berisha: Janë sot 20 mijë dosje. Nëse nuk na bëhet vonë për një të drejtë themelore të qytetarëve shqiptarë nuk meritojmë të quhemi shqiptarë. Janë 100 mijë dosje në gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë. Zgjidhja është gjetur Delina Fico, e cila ndan para. Kush u përgatit dosjen gjykatësve të Gjykatës së Lartë, balilat e PS. Krijohet një grup juristësh eurosocialistë dhe këta rekrutohen nga Delina Fico, e cila fiton tendera edhe 9 milion pa asnjë garë. Ligji shqiptar dhe Kushtetuta përcakton se ai që merret me dosjet që i dërgon gjykatësit duhet të jetë magjistrat dhe nëse nuk është duhet të ketë kualifikim të caktuar sipas ligjit dhe jo kualifikim në shkollat e Saimir Tahirit, Damian Gjiknurit dhe Delina Ficos.
Hartën e re gjyqësore ai e sheh një tjetër barrë mbi kurrizin e qytetarëve.
Berisha: Si zgjidhje gjetën hartën e re, një hartë ndëshkuese për çdo qytetar. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ti heqësh Sarandës dhe Tropojës gjykatën, ta sjellësh tjetrin të bëjë 80 km për në Kukës. Kush ua paguan këto, George Soros apo Edi Rama? Këtë akt të shëmtuar e kreu Edi Rama.
Sipas tij, Rama mendoi se do ta përdorte drejtësinë si hanxhar por ajo do të shkojë drejt paralizës së plotë.
Berisha: Soros bëri projektin, presioni i ambasadorëve amerikanë ka qenë i jashtëzakonshëm por përsëri ia kam thënë dhjetëra herë në parlament: Je kryeministër, nuk mund ta pranosh kurrë këtë batërdi. Por kjo është një drejtësi e paralizuar, ai kujtoi se do ta përdorë si hanxhar, për atë qëllim i bëri të gjitha këto. Por ju garantoj se kjo do të përfundojë në paralizë të plotë.
Ish-kryeministri tha se reforma në drejtësi në vend që të sillte drejtësinë vetëm rriti ryshfetin.
Berisha: Sot a e dini që ryshfeti që paguhet për një vendim gjykate është të paktën 3-4 herë më i lartë se ishte përpara sepse u thotë gjykatësi kam vettingun para, më shpërble. Ose kur e ka kaluar vettingun nuk pyet më fare, të vjen radha pas 7 vitesh.

