Dhuna ndaj gazetarëve, Çipa: Nëse do ketë përsëritje do ngrihemi në protesta, dhunuesit do marrin ndëshkim

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, ka komentuar dhunën e gazetarëve nga ana e policisë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arndol Kariqi, është shprehur se ka një papërgjegjshmëri ndaj strukturave dhe institucioneve, përfshirë dhe policinë rë cilët sipas tij cënojnë integritetin fizik të medias.

Aleksandër Çipa: Sjellja brutale dhe në rastin e djeshëm, por arrogancë që shkon deri në lëndimin fizik ëshgtë një moment i përshpejtuar. Ka një papërgjegjshmëri ndaj strukturave dhe institucioneve përfshirë dhe individëve të veshur me uniformën e  policisë që cënojnë integritetin fizik të punonjësve të medias. Është një rast që po na alarmon. Kemi rastin e Lezhës, rastin e Anila Hoxhës në Tiranë, rasti i operatorit të Fax Neës, rastin e djeshëm.

Ai tha se Unioni i Gazetarëve për rastet e dhunës që ushtrohet ndaj punonjësve të medias do të ketë një reagim tjetër, duke përfshirë edhe protestat.

Aleksandër Çipa: Mendoj se ka ardhur momenti se çdo akt i ripërsëritur do komunikoj një ballafaqim tjetër me komunitetin e gazetarëve. Ne do të kemi një reagim tjetër, jo vetëm me deklarata. Ne do të apelojmë që për çdo rast të ripërsëritjes së cenimit të integritetit fizik të reporterit të gazetarit ne do protestojmë deri në ndëshkimin e personit që e merr përsipër këtë protagonizëm, dhunues pranë atij institucioni.

Përsa i përket situatës politike ku më 6 mars do të mbahen zgjedhjet vendore, Çipa tha se shumica në qeverisje është në avantazh.

Aleksandër Çipa: Shumica në qeverisje është në avantazh nga pikëpamja e matjes së forcës elektorale në 6 njësitë administrative ku pritet të ripërsëritet procesi zgjedhor. Në thellësi të saj, mbart edhe një provë shumë të rëndësishme. Ka pjesën e një elementi të domosdoshmërisë identifikuese të vlerave të respektimit të demokracisë zgjedhore që është atribut i një shumice qeverisëse. Ekzistojnë disa premisa që na japin mundësisë të besojmë se ripërsëritja e zgjedhjeve në 6 bashki, mund të risjellë tri probleme të mbartuara nga kultura zgjedhore e Shqipërisë në 3 dekada.  

Problemi i parë është riciklimi i një konfliktualiteti elektoral. Kjo nuk është më mes dy palëve por në një përfshirje mikse, është përplasje e brendshme brenda PD dhe pastaj kemi dhe dy lloj përplasjesh të cilat mund të konsiderohen më të buta, por janë vektorë përcaktues për cilësinë e këtij procesi dhe në mënyrë të veçantë për identifikimin politik i produktit që do dalë nga ky proces.