Spaho: Basha vegël e Ramës, demokratët s’do e falin për 8 janarin. PD po riorganizohet

Edmond Spaho është shprehur se demokratët nuk do ia falin Lulzim Bashes atë që iu bëri me 8 janar.

Në një intervistë për Ora News, u shpreh se Lulzim Basha është kthyer në një vegël të Edi Ramës, ndërsa shtoi ai mbahet në seli të PD falë Kryeministrit Rama.

Spaho: Nuk është se kemi vendosur ne që të përplasim njerëzit, përkundrazi s’kemi dashur të arrijmë në këtë situatë. Duhet të ju kujtohen ngjarjet e 8 janarit se si veproi Basha ndaj demokratëve. I goditi me gaz nga brenda. Futi brenda mercenarë që i goditën demokratët me shkopinj bejsbolli, se si dolën individë  me rekorde kriminale që ne i kemi bërë publik me emër dhe mbiemër. Ka pasur 10 të plagosur nga radhët e demokratëve, asnjë të gërvishtur nga ata brenda.  Në këtë kuptim demokratët nuk ia falin Lulzim Bashës atë që iu bëri me 8 janar. Basha sot është kthyer në një vegël të Edi Ramës. Ai mbahet në atë godinë nga Edi Rama. Ajo nuk është shtëpia e tij, nuk është prona private as Lulzim Basha, as Sali Berisha dhe asnjë ndonjë tjetër por është e gjithë demokratëve. Kanë të drejtë të futen të gjithë.

Spaho tha se PD po riorganizohet, ndërsa shtoi se plotësimi i strukturave është një proces që do përfundoj në gjysmën e muajit shkurt, ndërsa shtoi se më 22 mars do të zgjidhen organet drejtuese.

Spaho: Ne jemi në fazën e riorganizimit të PD, plotësimit të strukturave, proces i cili përfundon në gjysëm të shkurtit. Më 22 mars kemi Kuvendin e PD, për të zgjedhur organet drejtuese, Këshillin Kombëtar, kryesinë e PD, përfshirë dhe kryetarin. Mandatin tonë e ka përcaktuar populli. Me Kushtetutë dhe me rregullore të vendit ne jemi deputetë të PD. S’ka nevojë të krijojmë as grup parlamentar as parti të re.