Psikologia Xhika thirrje prindërve: Lërini fëmijët të përjetojnë atë që ndjejnë,mos ja bëni çdo gjë gati

Zhvillimi emocional dhe rëndësia e tij tek fëmijët është një temë shumë interesante dhe e diskutuar kohët e fundit. Fëmijët rriten dhe zhvillohen me shpejtësi në pesë vitet e para në katër fushat kryesore të zhvillimit, si; fizike, gjuhësore, njohëse dhe së fundëmi emocionale. Zhvillimi social dhe ai emocional nënkupton sesi fëmijët fillojnë të kuptojnë se kush janë, çfarë ndjejnë dhe çfarë të presin kur ndërveprojnë me të tjerët.

E ftuar për këtë temë ditën e sotme në studion e “Jeto me Orën” ishte psikologia Majlinda Xhika.

“Zhvillimi emocional krijohet që me foshnjën ose që tek prindërit e tyre. Foshnjet përshembull i përcjellin emocionet e tyre duke qarë që duan apo kërkojnë përkujdesje” u shpreh Xhika. Ajo tregoi se pse kanë kaq shumë rëndësi emocionet tek fëmijët.

“Aftësitë emocionale ndikojnë shumë tek fëmijët në shkollë, apo edhe kur dështojnë, apo edhe në familje mënyra sesi prindërit e trajtojnë. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi ky zhvillim ndikon drejtpërdrejt në vetëbesimin e fëmijës, ndjeshmërinë, aftësinë për të zhvilluar miqësi dhe partneritete domethënëse dhe të qëndrueshme në marrëdhënie me të tjerët ” u shpreh psikologia. 

Prindërit dhe kujdestarët e tyre, janë ata që luajnë rolin më të madh në zhvillimin emocional të fëmijëve tregoi psikologia. 

“Pasi ata janë në kontakt të vazhdueshëm me ta. Përvojat e vazhdueshme me anëtarët e familjes, mësuesit dhe të rriturit e tjerë i ndihmon fëmijët të mësojnë rreth marrëdhënieve dhe të eksplorojnë emocionet në situata të ndryshme” u shpreh psikologia.

Ne harrojmë të pyesim sesi u ndje fëmija sot por fokusohemi vetëm tek arritjet akademike tregoi psikologia.

“Ne duhet të pyesim edhe për gjendjen emocionale të fëmijës pasi edhe shkolla nuk e ofron këtë pasi ne kërkojmë vetëm arritjet akademike pa pyetur për ndjenjat e tyre” u shpreh Xhika.

Ajo tregoi edhe problemet që fëmijët mund të hasin.

 “Sjell shumë problem tek fëmijët që nga stresi, këto shenja vihen re tek fëmijët që nuk ndihen të dëgjuar që janë më të mbyllur, apo tek fëmijët që e gjejnë çdo gjë gati kjo gjë u bën  dëm shumë atyre” u shpreh psikologia. 

Ajo tregoi sesa rëndësi i japin në Shqipëri pjesës emocionlae.

 “E shoh si qasje por ende shumë të zbehtë, madje sugjeroj që të futet si lëndë e edukimit emocional” u shpreh Xhika. Ka edhe aktivitete që i nxisin fëmijët që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin tregoi psikologia.