Nisin akuzat për zgjedhjet në FSHF, zyrtarët e KF Erzeni nën hetim, votuan pa miratim të Bashkisë

Ashtu si zgjedhjet politike, hijet e dyshimit kanë prekur edhe procesin për qeverinë e futbollit. Dy zyrtarë të Klubit Erzeni të Shijakut janë vënën në hetim pasi akuzohen se kanë votuar në Asamblenë lokale të Durrësit pa miratimin e Bashkisë.

Afrimi i zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka rikthyer debatet dhe akuzat në procesin të përcaktimit të delegatëve që do të zgjedhin kryetarin e ri të qeverisë së Futbollit.

Kryetari i shoqatës KF Erzeni, Marjus Shahini, dhe anëtari i saj Fundim Dollaku, janë vënë nën hetim nga policia për shpërdorim detyre.

Dy zyrtarët e akuzohen se kanë marrë pjesë në emër të Shoqatës, pa lejen e drejtuesve të Bashkisë së Shijakut, në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës.

Asambleja lokale rikonfirmoi kryetarin teksa me kërkesë jashtë rendit të ditës u përcaktuan edhe tre delegatët që do të përfaqësojnë këtë organ në Asamblenë Zgjedhore të FSHF.

Por Marjus Shahini dhe Fundim Dollaku, akuzohen se e kanë përfaqësuar Erzenin në mënyrë të paligjshme në votim.

Sipas burimeve, kryebashkiaku Elton Arbana, kishte mandatuar drejtorin e shumësportëshit Altion Keçi për të marrë pjesë në votim.

Ndaj Klubi i Erzenit ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit për kryetarin e shoqatës KF Erzeni Marjus Shahini dhe anëtarin e saj Fundim Dollaku.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.