"FBI, CIA…", Kim tregon kush i mblodhi informacionet për shpalljen 'non grata' të Berishës: S'paraqesim prova në gjyq
Duke komentuar shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, ambasadorja Yuri Kim deklaron se vendimi i SHBA erdhi pasi u mblodhën prova nga shumë institucione.
"Nuk është vetëm DASH. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA. Përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet. Së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë".
Në një intervistë për “EuroNews”, Kim sqaroi se procesi për shpalljen non grata të dikujt merr vite dhe nuk bëhet brenda ditës e as nga një individ i vetëm.
"Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish".
E ndërsa Berisha ka hapur proces gjyqësor në Francë, Kim tha se nuk ka asnjë provë që mund të bëhet publike në asnjë proces gjyqësor.
“Në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi,” – tha Kim e cila insistoi disa herë se pavarësisht se Berisha ka hapur një proces gjyqësor në Paris për këtë çështje, atje nuk do të ketë asnjë deklarim nga SHBA.
Ambasadorja theksoi se shpallja non grata e ish-kreut të PD-së u bë bazuar në fakte dhe përfshiu shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Vendimi ndaj Berishës u mor në maj me akuzën “për akte korruptive që cënojnë demokracinë në Shqipëri”.

