Mjekja Xhufi: Po rritet numri i përdoruesve të drogës në vendin tonë, ja simptomat që shfaqin

Konsumimi i lëndëve narkotike dhe varësia ndaj tyre kryesisht nga të rinjtë është një temë shumë e diskutuar dhe shqetësuese kohët e fundit në vendin tonë. Pikërisht, për të folur më shumë rreth kësaj teme interesante këtë pasdite në emisionin “Jeto me orën”  në RTV Ora ishte e ftuar mjeke toksikologe, Suela Xhufi.

Ajo u shpreh se ende në ditën e sotme mbetet shqetësuese konsumimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë në vendin tonë, sipas saj vetëm për këtë muaj kanë rezultuar “3-4 raste të moshës 17 vjeçare, që janë përdorues të kokainës dhe drogës”.

Sipas saj, janë një sërë faktorësh riskantë që ndikojnë tek të rinjtë, ndër to përmendi ata social, ekonomik, etj. Më tej ajo u shpreh se përdoruesit e narkotikës, drejtohen për tek mjeku toksikolog në faza shumë të vonshme. 

“Faktorët social janë ato që ndikojnë tek të rinjtë të ndjekin rrugën e përdorimit të lëndëve të narkotikës, kjo ndodh pasi prindërit mund të mos ndajnë shumë kohë me ta, një faktor tjetër është tek ata familje që kanë mirëqenie ekonomike, pasi e nisin në moshë të hershme me shoqërinë.

Por, edhe këto varen nga fazat, pasi kemi nga ata raste kur të rinjtë e përdorin thjeshtë për të shoqëruar shoqërinë  me një cigare, raste kur ne konsumojnë kur ndihen të vetëm dhe nga ata raste që pastaj krijon varësi”, u shpreh Xhufi.

Disa nga simptomat që shfaqin konsumuesit e drogës, sipas mjekes janë agresiviteti, pagjumësia, përqendrimi etj.

“Pjesa më e madhe e pacientëve nuk e pranojnë se kanë krijuar varësi. Vijnë dhe thonë po unë po të dua e lë doktoreshë, por kjo nuk ndodh. Pacientët të cilët e konsumojnë këtë janë disa shenja që e shfaqin tek të rinjtë që konsumojnë. Është agresiviteti, pagjumësi, përqendrimi në punë apo mësime, nuk arrijnë  të dallojnë bisedat, këto janë disa shenja që tregojnë se të rinjtë janë konsumues të lëndëve narkotike”, u shpreh Xhufi.  

Së fundmi, ajo përfundoi duke përmendur hallkat e zinxhirit se kush është përgjegjës për identifikimin e këtyre të rinjve në përdorimin e lëndëve narkotike.

“Shkolla ka një rol kryesor, pasi ata shohin sjelljen e fëmijës, të nxënësve. Në qoftëse, shohin që fëmijët kanë rënë në mësime, nuk respektojnë orët e mësimit, atëherë në këtë rast duhet të lajmërojnë prindërit. Padyshim që është familja, por edhe shoqëria”, përfundoi ajo.