Sjellja e policisë te "5 Maji", Nano: Nëse konstatohen shkelje dhe parregullsi do merren masa administrative

Kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka paralajmëruar një hetim administrativ të aksionit të sotëm të policisë te "5 Maji".

Duke folur nga Korça, ai tha se policia ka qenë në mbështetje të IMT pranë Bashkisë Tiranë dhe se nuk është në dijeni për shkelje nga ana e efektivëve.

Por shprehu vendosmërinë se nëse do konstatohen shkelje apo parregullsi në procedurat standardte të policisë së shtetit do të merren masa administrative.

Gledis Nano: Sot policia e shtetit ka qenë në mbështetje të një pune që po zhvillonte institucioni për mbrojtjen e territorit në Bashkinë e Tiranës. Në dijeninë time deri më tani dhe nga qëndrimet e institucioneve të tjera nuk ka pasur ndonjë ankesë. Megjithatë këto që ju po thoni do të verifikohen  dhe në rast se do të ketë shkelje apo parregullsi në procedurat standardte të policisë së shtetit do të merren masa administrative.

Nano ishte në Korçë për analizën vjetore të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për vitin 2021.

Sipas tij, kriminaliteti paraqitet me një nivel të ulët sa i përket krimeve të rënda.

Nano: Vlen për tu falenderuar stafi i kësaj drejtorie për ndjekjen me profesionalizëm të figurave të krimit.

Por nuk paraqitet e njëjta situatë në raport me trafikun e emigrantëve, narkotikëve dhe kontrabandën e mallrave.

Dhe këtu Nano kishte porosi të qarta për 2022.

Sjellja e policisë te "5 Maji", Nano: Nëse konstatohen

Nano: Ajo që u dha porosi dhe që duhet të mësohet gjatë vitit 2022 është se Korça ka një linjë të gjatë të vijës kufitare, duhet pasur një fokus më i madh në drejtim të kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm, të kontrabandës së mallravë të trafikimit dhe të lëndëve narkotike.

Prej disa kohësh në qarkun e Korçës është zhvilluar operacioni i koduar “Perimetri” i cili ka pasur 73 episode deri tani me disa të arrestuar si persona të implikuar sa i përket personave të Policisë të implikuar në këto aktivitete kriminale.

Të gjitha strukturat që kanë objekt pune këtë vepër janë të angazhuara gjithashtu dhe ne si Policin e Shtetit jemi treguar shumë bashkëpunues për ti zbardhur, për ta pastruar Policinë e Shtetit nga elementë të tillë me qëllim pasjen e një policie me një nivel më të lartë besueshmërie në raport me qytetarët.

Në analizën që sapo zhvilluam rezultatet flasin qartë dhe ato objektiva të përcaktuara janë pëbushur në nivele të pritshme dhe të kënaqshme. Patjetër që ka dhe punë për të përmirësuar.