Vendoret, Koka: 6 marsi vendimtar për ti dhënë goditjen e parë regjimit dhe nxjerrë cullak opozitën

Presidenti, Ilir Meta, pritet të caktojë 6 marsin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Kjo është prova e parë e Lulzim Bashës pas përçarjes së PD. Por gazetari Bledian Koka në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava thotë se Basha është bashkë me regjimin Rama, ndaj dhe përballë tyre duhet një front opozitar.

Koka: Lulzim Basha nuk është votuar kurrë si alternativë qeverisëse por si akumulim i mllefeve të njerëzve që nuk duan Edi Ramën. Kjo nuk është e mjaftueshme më. Lulzim Basha e ka treguar, sidomos pas 25 prillit, se nuk përfaqëson asnjë kontribut apo vetëdije opozitare në këtë vend. Është thjesht një ozurpator i opozitës, një pengmarrës i opozitës, dhe i marrë peng njëkohësisht.

Për hir të interesave të tij personale i shërben interesave të regjimit.Të gjithë ata njerëz që i shkojnë pas Lulzim Bashës nuk e bëjnë për vetëdije politike apo opozitare por vetëm për interesa personale dhe financiare. Nuk mendoj që Lulzim Basha është një sfidë në zgjedhjet e 6 marsit. Sfida përballë është regjimi që ka brenda dhe Lulzim Bashën. Me 6 mars beteja do të jetë mes opozicionit dhe shpresoj të ketë një front opozitar deri më 6 mars.

Duke e konsideruar një moment vendimtar për ti dhënë një sinjal regjimit dhe përcaktuar opozitën e vërtetë, Koka i këshillon partitë opozitare të dalin mbi interesat e ngushta personale dhe kalkulimet politike.

Koka: Zgjedhjet e 6 marsit janë letra e parë për të treguar se këtu nuk është më çështje interesash personale, politike dhe pragmatike elektorale. Të gjitha partitë që janë në opozitë me Ramën nuk duhet të bëjnë llogari dhe cic-mice personale, duhet të mblidhen një orë e më parë dhe të formojnë një front opozitar.Ti jepet derma e parë regjimit me aq sa është e mundur, të nxirret cullak se kush është opozitë, kush është fasadë dhe kush është i marrë peng dhe kjo të shërbejë pastaj si një narrativë serioze për të shkuar drejt 2023 që është sfida serioze për ti dhënë goditjet këtij regjimi. Nëse kjo ndodh mendoj se këtu ka ende shpresë, nëse nuk ndodh dhe 6 marsi përfundon për cic-mice personale të njerëzve që kërkojnë të kenë përfaqësimin e tyre, apo logon e tyre se u qan zemra për logon dhe kontributet e tyre atëherë këtu nuk është kuptuar asgjë.

Sa i takon konsultimit që presidenti Meta pati me Taulant Ballën e PS për datën e zgjedhjeve, ai nuk përjashton mundësinë që takimin ta ketë kërkuar ky i fundit, pasi në situata të tilla nuk parashikohen konsulta me partitë politike.

Koka: Për zgjedhje të parakohshme lokale të kësaj natyre nuk parashikohen konsulta fare me partitë politike. Duhet parë nëse është kërkuar nga zoti Balla. Reagimi i PD, ishte shqetësimi se presidenti ka bërë atë që duhet të bënte, ka shpallur zgjedhjet. Kaq banale është kjo parti që nuk njeh institucionin e zgjedhjeve se është mësuar ti bojkotojë ato që nga 17 maji dhe deri sot.