Plumb pas “festës” në hotel, arrestohet 26-vjeçari nga Durrësi që tentoi të vriste shokun

Policia arrestoi sot autorin e dyshuar të tentativës së vrasjes që u shënua në një hotel në  autostradën Durrës-Tiranë më 9 dhjetor 2021.

Arni Sulejmani, rreth 20 vjeç, ndodhej në dhomë bashkë me dy djem të tjerë dhe një vajzë kur në rrethana ende të paqarta 26-vjeçari Markeljan Beqiri e sulmoi atë me pistoletë, duke e lënë të plagosur.

Markelian Beqiri ishte shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë dhe akuzohet se është autori i ngjarjes.

Ky shtetas dyshohet se më datë 09.12.2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Arni Sulejmani, i cili mbeti i plagosur. Menjëherë pas ngjarjes, shtetasi Markelian Beqiri është larguar nga vendi i ngjarjes," thuhet në njoftimin e policisë. 

Arrestimi

Operacioni për arrestimin e tij u kodua "Linza". Në bazë të informacioneve të marra se një person i shpallur në kërkim për krime kundër personit, qarkullonte me automjet në segmentin rrugor Linzë-Surrel, është organizuar puna dhe u bë arrestimi i shtetasit Markelian Beqiri, 26 vjeç, banues lagjen nr.17/1, Durrës, informon policia.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Hetimet

Motivet e konfliktit mbeten të paqarta, por sipas burimeve të rinjtë kishin përdorur drogë dhe alkool kur ndodhi ngjarja. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.