Tensionet në PD, Mandia: U përjashtuam se shkuam në stadium. Më 8 janar prisja reagim tjetër nga Basha
Ledina Mandia, anëtare e Komisionit të Rithemelimit të PD, ka komentuar situatën e krijuar ditën e sotmë në zonën “5 Maj”, ku 3 shtëpi u shembën, ndërsa banorët u përplasën me policinë pasi ishin kundër shembjes së shtëpive.
Në një intervistë për Ora Neës, ajo u shpreh se këto pamje nuk janë të reja, ndërsa shtoi se shqiptarët po mësohen me një realitet të tillë, ku dhuna është kryefjalë e çdo gjëje.
Ledina Mandia: Këto pamje nuk janë të reja. Ne po mësohemi me pamje të tilla, me dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve nga policia e shtetit. Po mësohemi me shkeljen e transparencës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. që në momentin që kjo qeveri ka ardhur në pushtet, ka ardhur përmes veprimeve abuzive në shkelje të Kushtetutës dhe akteve ligjore në fuqi. Uroj që qytetarët të mos lihen rrugëve pa strehim, gjë e cila do të çonte në një përshkallëzim të shkeljes së të drejtave të njeriut. Shqiptarët po mësohen me një realitet të tillë, ku dhuna është kryefjalë e çdo gjëje.
Teksa ka folur për situatën politike në PD, ajo tha se është pozicionuar krah ish-Kryeministrit Sali Berisha për të kontribuar në demokratizimin e PD
Ledina Mandia: Unë jam pozicionuar në krah të Berishës, në një moment të tillë për të kontribuar në demokratizimin e PD. Unë kam bashkëpunuar me Bashën për t’iu ofruar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka qenë ftesë e Bashës për t’u bërë pjesë e politikës.
Të them të drejtën më ka dhembur të shoh demokratët të cilët po shpërfilleshin, që nuk po dëgjoheshin dhe më ka dhembur të dëgjoj se nuk duhet të dëgjohet fjala e lirë.
Ajo ka treguar edhe arsyen pse iu bashkua politikës, ku fillimisht ishte në krah të Bashës.
Ledina Mandia: Unë nuk kam qenë prezent në negociatat që ka bërë Rama-Basha. Unë jam thirrur si person teknik për të ushtruar detyrën e Zv. Kryeministres, pikërisht për të monitoruar sjelljen e administratës, për të monitoruar, institucionet shqiptare të policisë së shtetit, për të kontrolluar qarkullimin e parave të pista, në mënyrë që t’I garantojnë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse iu bushkova politikës.
Ndër të tjera tha se ajo së bashku me kolegët e saj u përjashtuan pasi morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, i cili ishte thirrur nga Berisha.
Ledina Mandia: Grupi i Rithemelimit po ushtron disa funksione që janë të njohura nga statuti që është miratuar në Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor, dhe ato detyra duhet të ekzekutohen nga Grupi i Rithemelimit se është vullneti i anëtarësisë.
Ne u përjashtuam se shkuam në stadium. Këtë Basha e tha që në mbledhje Kryesie ku deklaroi se personat që nuk do të njohin vendimin e tij për Kuvendin e datës 18 do të jetë të përjashtuar nga Kryesia.
Po ashtu teksa është ndalur te protesta e 8 janarit para selisë blu, ajo u shpreh se priste që Lulzim Basha të reagonte ndryshe.
Ledina Mandia: Prisja nga Basha që në datën 11 dhjetor të kishte reagim ndryshe. Të pranohej propozimi i Palokës. Të kishte një gjuhë kompromisi. Mos të hidhej vullneti i delegatëve në kosh për çështje procedure. Kjo nuk ndodhi dhe gjuha u ashpërsua edhe më tepër. Në kushtet e 8 janarit kjo shkoi dhe më tej, ku Basha përdori dhunën. Prisja që Basha dhe kolegëve të tjerë që të dilnin përjashta dhe t’u flisnin demokratëve.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
