Koka: Basha hesht për “5 Majin”, Veliaj i quan kriminelë, dhuna fytyra e vërtetë e regjimit të Ramës
Në një intervistë për RTV Ora, gazetari Bledian Koka u shpreh se kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë denoncim lidhur me atë që ka ndodhur sot në “5 maj”.
Sipas Kokës, ajo që ndodhi një tregues i regjimit të Edi Ramës dhe se e njëjta polici që mbrojti selinë e marrë peng nga njerëz pa legjitimitet, shkuan dhe sulmuan banorët e zonës së “5 majit”.
Koka: Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë denoncim lidhur me atë që ka ndodhur sot në “5 maj”, por ama poston çdo ditë lidhur me demokratët për atë që ndodhi në 8 janar në selinë e PD-së me aktet e dhunës. Ajo që ndodhi sot në mes të Tiranës, ai tha vetëm një gjysmë fjale për kolegun Everest Dedaj në Ora News. Nuk ka bërë asnjë postim lidhur me atë që ndodhi në “5 maj”. Nuk mund të konsiderohet opozitë çdo njeri i shitur tashmë te Edi Rama.
Ajo është një gjë e rëndë dhe tragjike dhe një tregues i regjimit të Edi Ramës. Unë e konsiderova si një kërbaç. Sot është hequr buka dhe është shtuar cirku dhe kërbaçi. E njëjta polici që mbrojti selinë e marrë peng nga njerëz pa legjitimitet, shkuan dhe sulmuan banorët e zonës së “5 majit”. Këta njerëz u sulmuan sepse aty do të ndërtohen pallate në kuadër të rindërtimit, rindërtimi nuk i ka prekur këta njerëz. Nëse banesën tënde e do shteti nuk përfiton dëmshpërblim dhe përkrahje nga shteti. Shteti tashmë është një regjim që refuzon arsyen.
Koka shtoi se ky është një shtet bandit që nuk ka ndjesi, i cili ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike për banorët aty.
Koka: Ky është një shtet bandit që nuk ka ndjesi. Në kohën e Enver Hoxhës, nëse brenda natës arrije të ndërtoje një ndërtesë, regjimi nuk ta priste ndërtesën. Sot po flasim për banorë që kanë mbi 20 vjet dhe që shumë banesa janë të legalizuara, edhe sikur të mos ishin të legalizuara, nuk mund të bëhet kjo gjë sido që të ishte projekti. Aty u është ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike, që i kanë paguar. Këta njerëz nuk janë të paligjshëm dhe nuk mund të trajtohen ashtu si i quan Veliaj si kriminelë. Fytyra e vërtetë e trishtë këtu është fytyra e mediave, që bënin lajme që ua hidhnin fajin banorëve.

