Meta dekreton 6 marsin: Data e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Shkodër, Dibër, Vorë, Lushnje, Rrogozhinë e Durrës
Presidenti i vendit, Ilir Meta dekretoi sot 6 marsin si datë për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Gjashtë bashki në vend, Shkodra, Durrësi, Vora, Rrogozhina, Dibra dhe Lushnja drejtohen pa kryetar thuajse nga viti 2019.
"Sapo dekretova caktimin e datës 6 mars 2022, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë!" shkruan Meta përmes një postimi në facebook.
Një ditë më parë kreu i shtetit priti në presidencë kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Balla. Meta sqaroi se takimi nuk kishte të bënte me konsultim por shmangie të polemikave.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ju përgjigjur vendimit të Presidentit për të shpallur zgjedhje të pjesshme në 6 bashki.
Në një intervistë për Ora News, Lulzim Basha, tha se Partia Demokratike nuk i shmanget asnjë gare dhe se është e gatshme për tu përballur në çdo moment me Edi Ramën.
Edhe Komisioni i Rithemelimit të PD në një deklaratë për mediat ka njoftuar se do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve.
Mësohet se Komisioni ka hapur procesin e primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave më të mira për secilën nga bashkitë.
Ditën e djeshme, 19 janar, Presidenti Meta priti në një takim kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve. Meta sqaroi se takimi nuk kishte të bënte me konsultime me partitë por me një konsultim që të shmangen polemikat pasi u pyet se pse kishte pritur në takim vetëm Ballën.
Bashkitë pa kryetar
1- Bashkia e Shkodrës – Pasi kryetari i dalë nga zgjedhjet, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen për shkak se prekej nga ligji i dekriminalizimit. Bashkia drejtohet nga Voltana Ademi mandati i së cilës ka përfunduar prej afër 3 vitesh
2- Bashkia e Vorës – Agim Kajmaku, prekej nga ligji i dekriminalkizimit
3- Bashkia e Durrësit – Pasi Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit të nëntorit për tu zëvendësuar nga Emirjana Sako
4- Bashkia e Rrogozhinës – Pasi kryetari Haxhi Memolla ndërroi jetë dhe u zëvendësua në detyrë nga nipi i tij Edison Memolla
5- Bashkia e Dibrës – Pasi Dionis Ymeri la postin për të kandiduar si deputet
6 – Bashkia e Lushnjës – Pasi Fatos Tushe u shkarkua nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit për korrupsion.



